Shqipëria

Arshi Pipa e cilësoi “konformist të komunizmit”, Kadare thyen heshtjen


Ismail Kadare, në një rrëfim me studiuesen Alda Bardhyli, ka vendosur të thyejë heshtjen mbi një nga kritikët e tij të raportit të Kadaresë me regjimin komunist, Arshi Pipa. Ky rrëfim vjen në 101-vjetorin e lindjes së Pipës.

Një kumtin i gjerë mbi veprën, kritikën dhe raportet mes tyre zbardh qëndrime të pakomunikuara më parë.

Në përvjetorin e lindjes së studiuesit dhe kritikut të njohur shqiptar erdhi për lexuesin edhe libri “Arshi Pipa, politikë dhe letërsi, Paradigma Gramshi”, nën mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Në të paraqitet një studim i koncepteve, veprës dhe jetës së një figure të lartë intelektuale, si ajo e Antonio Gramshit.

“Ky libër është rezultat i dy dekadave mësimdhënie dhe studimi, periudhë gjatë së cilës mahnitja ime e fillimit ia la vendin një vlerësimi më të kthjellët dhe objektiv të figurës së tij si një mendimtar e lider marksist”, shkruan vetë Pipa në parathënie.

Kadare për Arshi Pipën

I pyetur nga studiuesja Bardhyli mbi vendin që zë vepra e Pipës në terrenin kulturor shqiptar, shkrimtari Ismail Kadare e vlerëson atë si thelbësore për mendimin dhe kulturën shqiptare.

“Pjesa kryesore e rezervave të tij ndaj regjimit komunist pa dyshim qëndron, madje tani, pas rrëzimit të këtij regjimi, del nevoja që vepra e tij të studiohet më thellë”, thotë Kadare, duke sugjeruar se një pikëshikim i thellë dhe objektiv do ta zhvishte atë nga disa dëmtime që i janë shkaktuar prej studimeve, “shpesh pasionante siç ndodh nga idhtarët e autorëve”, shprehet autori.

Qëndrimet e kritikut më në zë të letërsisë shqipe të Shekullit të XX, Arshi Pipa, kundrejt veprës së Kadaresë, janë të përmbledhura në studimin e këtij të fundit.

Titullohet: “Fenomeni Kadare – nga subvencion në komunizëm”, ku Pipa, përveçse vlerëson Kadarenë si një shkrimtar të madh, i cili do mbetet, përmend “teknikën e groteskut dhe ekzagjerimin që ai e përdor për ta bërë interesante Shqipërinë për lexuesin e huaj”.

Parë nga ana kritike, ai e cilësoi “konformist, duke pranuar botëkuptimin stalinist dhe zëdhënës të kulturës shqiptare në botën e huaj”.

Heshtja e Kadaresë

“Nuk është e vështirë të bëhet një gjë e tillë, domethënë të heshtësh. Pjesa më e madhe e inteligjencës krijuese shqiptare, edhe pse mund të kritikohet për qëndrime të paplota pozitive, nuk mund t’i mohohet përplasja e saj me regjimin, shpesh të heshtur po, por aq edhe e shprehur disa herë qartë përballë tij”, sqaron Kadareja, duke theksuar se me një gjykim të tillë do të ishte dakord vetë Arshi Pipa.

Kur u pyet nga Bardhyli në është takuar ndonjëherë me Pipën personalisht, Kadare u përgjigj: “Fatkeqësisht jo”. Më pas, ai solli në kujtesë takimin me Martin Camajn, në të cilin sqaroi se nuk kishte diskutuar mbi Pipën.

“Arsyet mund të ishin të shumta përse nuk biseduam për të, ndër to, më kryesorja ndoshta ishte se shteti shqiptar, duke qenë në dijeni për to, ishte në kundërshtim me shtjellimin e tyre”.

“Jam përpjekur gjithmonë ta kuptoj mendimin e tij, sado që kjo ishte e vështirë të bëhej nga larg”, vijon Kadare.

Kritikën e Arshi Pipës, ndonëse vazhdon të jetë e pranishme ende sot në diskursin publik, Kadare e konsideron të kuptueshme, “sidomos në rastet kur një sistem i tërë politik bie në humnerë dhe dyshimet dhe enigmat për të vazhdojnë të mbeten për një kohë shumë të gjatë”, tha ai.

Ndërsa, mbi veprën e tij, Kadareja, qëndrimin e ka të qartë.

“Duhet ta lexojmë si pjesë e tablosë që arriti të dalë nga makina e censurës komuniste. Si e tillë, ajo mund të shfrytëzohet në dobi të paraqitjes së nivelit kulturor të kombit shqiptar”, kështu iu përgjigj gjeniu i letrave shqipe studiueses Bardhyli mbi formën si duhet ta lexojmë sot, Arshi Pipën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore