Sport

Arsenal-i pranë Martin Odegaard-it


Rikthimi në Madrid për atë që para pak vitesh cilësohej si talenti më i madh në futbollin europian, Martin Odegaard-it, nuk shkoi siç pritej. Norvegjezi është gati të lërë përsëri Real Madrid-in dhe kësaj here për Arsenal-in. Me topçinjtë që janë shumë të interesuar të marrin shërbimet e 22-vjeçarit.

Odegaard-i u ble nga Real-i në 2015, nga norvegjezët e Stromsgodset-it. U aktivizua fillimisht me Real Madrid Castilla-n, më pas u huazua te holandezët e Heerenveen-it dhe tek Vitesse më vonë.

Mesfushori i avancuar u rikthye në Madrid në 2019, për tu huazuar përsëri. Kësaj radhe te spanjollët e Real Sociedad-it. Me Sociedad-in Odegaard-i shkëlqeu në 36 ndeshje, ku shënoi shtatë gola dhe dhuroi nëntë asiste.

Forma e mirë e norvegjezit, bëri që Real-i ta rikthente në ekip. Rikthimi nuk i arriti pritshmëritë në fushën e lojës dhe pas gjysëm sezoni do të largohet përsëri. Në nëntë paraqitje me Los Blancos-at nuk arriti të linte gjurmë.

Mikel Arteta e kërkon 22-vjeçarin ta ketë pjesë të ekipit të tij, si një forcë më shumë në fazën sulmuese. Madrilenët janë të hapur për një huazim, deri në përfundim të këtij sezoni./ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore