Sport

Arsenal: Arteta gjen zëvendësuesin e Xhakës te Wolves-i


Skuadra e Arsenal-it po kërkon një zëvendësues të mundshëm të, Granit Xhakës. Mesfushori shqiptaro-zviceran ishte i lidhur me një kalim te Roma në verën e kaluar.

Mikel Arteta e ka të qartë idenë se kush mund të jetë mesfushori i duhur për të zëvendësuar Xhakën. Sipas britanikes “The Sun”, Ruben Neves-i i Wolverhampton-it është dëshira e teknikut të “topçinjëve”.

Londinezët janë impresionuar nga paraqitjet e portugezit, sidomos këtë sezon. Por, për të ka interes edhe nga Chelsea dhe Manchester United.

24-vjeçari këtë sezon ka luajtur 19 ndeshje në Premier League, ku ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar një asist. Në total, ai numëron 128 paraqitje në elitën e futbollit anglez, 13 gola dhe shtatë asiste.

Neves-i ka kontratë deri në verën e 2024 me Wolves-in. Kartoni i tij vlerësohet rreth 38 milionë euro.

Ndërkohë që Xhaka është ende i lidhur me Roma-n. Mbyllja e merkatos është vetëm një javë larg. Nëse Xhaka largohet, nuk përjashtohet oferta e Arsenal-it në janar për yllin portugez.

29-vjeçari Xhaka është pjesë e Arsenal-it që nga vera e vitit 2016. Kohë kur u transferua për shifrën e 45 milionë eurove nga gjermanët e Borussia Monchengladbach-ut.

Aktualisht ai ka kontratë deri në verën e 2024 me londinezët. Kontratë të cilën e rinovoi për herë të fundit më 23 gusht të 2021.

Lojtari i përfaqësueses së Zvicrës ka arritur deri më tani të ketë 233 paraqitje me fanellën e Arsenal-it. 13 gola dhe 21 asiste mbajnë emrin e tij.

Por, më shumë Xhaka është dalluar për numrin e lartë të kartonave që ka marrë. Ai numëron 62 kartona të verdhë dhe katër të kuq.

Xhaka ka arritur të fitojë dhe katër trofe me Arsneal-in. Dy trofe të FA Cup dhe dy të tjerë të Superkupës së Anglisë.

Por, nga ana tjetër, “topçinjtë” mund të zgjedhin dhe një alternativë më pak të kushtueshme. Arthur Melo i Juventus-it mund të mbërrijë në huazim deri në fund të sezonit. Që gjithashtu mund të përfshijë një opsion blerje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore