Zgjedhjet në Kosovë

Arrijnë votat e para nga diaspora në Kosovë


Në Kosovë ka arritur kontingjenti i parë me vota nga diaspora.

Këtë e ka konfirmuar Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj, gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të hënën.

Ahmetaj ka thënë se kanë arritur tre mijë zarfe nga posta e shpejtë.

“Kemi zhvilluar komunikimin me ta për votat me postë, po ashtu edhe përmes postave të shpejta dhe të njëjtën do ta përdorim. Të shtunën i kemi marr diku rreth tre mijë zarfe nga posta e shpejtë dhe ky është kontingjenti i parë”, tha Ahmetaj.

Ai shtoi po ashtu se janë bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit që pritet të mbahen në Kosovë.

“Sipas informacioneve pritet që fletëvotimet të arrijnë të premten në Kosovë, pasi nuk kemi pasur mundësi të shkojmë t’i shohim nga afër për shkak të pandemisë”, shtoi Ahmetaj.

Nga 130 mijë e 168 aplikacione për regjistrim, nga diaspora janë certifikuar 102 mijë e 100 aplikues.

28 mijë e 68 aplikacionet e refuzuara janë raste të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret e aplikimit.

Prej tyre 15 mijë e 933 aplikues janë refuzuar sepse kanë dërguar vetëm formularin e aplikimit për regjistrim, ndërsa 11 mijë e 164 aplikues nuk i kanë dëshmuar identitetin ose kriterin e zotësisë juridike dhe ose aplikacionet për regjistrim kanë qenë të panënshkruara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore