Auto

Arrihet marrëveshja mes prodhuesve koreano jugorë


LG Chem dhe SK Innovation Co, prodhuesit koreano jugor të baterive, kanë zgjidhur një mosmarrëveshje mbi sekretet e tregtisë që kanë kërcënuar një fabrikë kryesore në Georgia dhe planet e automjeteve elektrike të Ford-it dhe Volkswagen-it.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, nëpërmjet Zyrës së Përfaqësuesit të Tregtisë Amerikane (USTR) ka pasur një afat kohor për ndërmarrjen e hapit të anulimit të një vendimi të Komisionit Ndërkombëtar të Tregtisë (ITC) nëse kompanitë nuk do të shkonin drejt një marrëveshjeje.

Marrëveshja ndërmjet dy prodhuesve konsiderohet një fitore e Biden-it, i cili e ka shndërruar në një përparësi kryesore rritjen e prodhimit të automjeteve elektrike amerikane dhe të baterive të tyre.

Në mbështetje të kësaj industrie që është në zhvillim në rritje në mbarë botën, Biden ka propozuar edhe planin e 174 miliardë dollarë për të rritur shitjet e makinave elektrike dhe për të zgjeruar infrastrukturën e tarifimit.

Mosmarrëveshja dy vjeçare mes prodhuesve ka lindur në momentin kur LG humbi ndaj SK-së në përpjekjen e saj për të fituar porositë e Volkswagen-it dhe duke akuzuar SK-në për vjedhje të sekreteve tregtare duke marrë 80 punonjës prej kompanisë.

Në muajin shkurt, ITC-ja doli në krah të LG-së dhe lëshoi një ndalim 10 vjeçar të importit, megjithatë e lejoi SK-në të importonte komponentë për bateritë për katër vjet për programin Ford F-150 dhe dy vjet për makinat elektrike të Volkswagen-it të Amerikës Veriore.

Mirëpo, SK-ja u zotua të largohej nga impianti i saj i baterive në Georgia, i cili ishte në ndërtim dhe që ka kushtuar 2.6 miliardë dollarë, nëse nuk rrëzohej vendimi i marrë nga ITC-ja.

Scott Keogh, shefi ekzekutiv i Volkswagen-it, ka thënë se nëse vendimi i ITC-së zbatohet “mund të zvogëlojë kapacitetin e baterive amerikane dhe të vonojë kalimin në automjete elektrike”.

Ndërkohë, administrata ka nxitur kompanitë drejt një zgjidhjeje. Ngjashëm kanë vepruar edhe kompanitë e automjeteve, Volkswagen dhe Ford.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore