Shqipëria

Arrihet marrëveshja Francë-Britani për emigrantët


Është arritur zyrtarisht marrëveshja mes palës franceze dhe asaj britanike, për patrullimin e emigrantëve të jashtëligjshëm, ku Parisi ka premtuar shtimin e patrullave në brigjet dalëse përgjatë kanalit të “La Manche”.

Kjo rritje pritet të jetë me 40% të patrullave që lidhen me varkat e vogla, të cilat nisen nga Parisi dhe bashkëpunëtorë në këto kontrolle, do të jenë për herë të parë edhe vetë britanikët.

Këtë gjë gjithsesi, Londra do duhet ta paguajë dhe jo pak, por plot 72.2 milionë euro, të cilat do të jepen për Francën brenda vitit 2022-2023.

Po ashtu, pritet të ketë edhe investime shtesë në infrastrukturën portuale franceze, ku pritet vendosja e një teknologjie të re me dronë për të pikasur mjetet që lundrojnë në mënyrë të jashtëligjshme në brigjet detare të Evropës veriore.

Të tillë pjesëmarrje aktive mund të kenë edhe vendet e Bashkimit Evropian, si Gjermania apo Danimarka e Belgjika.

Kështu bëjnë me dije raportimet e fundit nga Agjencia Franceze e Lajmeve AFP, që i referohet burimeve të saja pranë Elysee-së dhe e përditshmja britanike The Guardian, që i referohet burimeve pranë Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Ky lajm vjen me rëndësi edhe pas polemikave të shtuara mbi çështjen e migrantëve shqiptarë, të cilët zgjedhin të shkojnë drejt Anglisë.

Sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, Suella Braverman, i ka vendosur shqiptarët në qendër të vëmendjes me shtimin e fluksit të tyre në qendrat e azilantëve, pas zgjedhjes së ikjes me gomone drejt ishullit.

Duke i etiketuar si “pushtues”, Braverman nxiti një debat të madh publik dhe shtetëror mes palëve, ku ka pasur reagime edhe nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili akuzat i ka quajtur të pabaza dhe ka argumentuar se 140 mijë shqiptarë jetojnë të integruar tërësisht me jetën në Mbretërinë e Bashkuar dhe kontribuojnë aktivisht për monarkinë.

Megjithatë, Braverman, asnjëherë nuk është tërhequr nga deklaratat e saj, ku në përgjigje ndaj kritikave, shkroi edhe një editorial për të përditshmen britanike “The Mail Plus”, ku shpjegonte planin e saj për uljen e numrit të emigrantëve.

Ky plan, me dy pika, përfshinte pikërisht marrëveshjen me Francën fillimisht, mbi mbikëqyrjen e kufirit detar dhe bashkërendimit të punës mes palëve.

Që prej daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, bashkëpunimi ka qenë thuajse inekzistent, pasi një marrëveshje e re mes dy vendeve duhej vendosur, e cila tashmë është arritur.

Pika e dytë e planit, është ajo e dekurajimit të personave që zgjedhin këtë rrugë, duke i dërguar emigrantët në burgje të caktuara në Ruandë të Afrikës, dhe jo në qendra azilantësh në Britani.

Kjo pikë gjithsesi ende nuk është dakordësuar me autoritetet e Ruandës, për ta përmbyllur vendimin e ekzekutivit britanik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore