Lajme

Arrihet armëpushimi mes Izraelit dhe Hamas-it


Izraeli dhe grup islamist Hamas-i kanë rënë dakord për një armëpushim, duke ndalur kështu një luftë 11-ditore që shkaktoi vdekjen e mbi 200 njerëzve.

Në orën 2 të mëngjesit të së premtes, ndërsa hyri në fuqi armëpushimi, njerëzit dhe jeta u rikthye në rrugët e Gazës.

Sipas mediave lokale ata dolën nga shtëpitë e tyre, disa prej tyre duke kënduar dhe fishkëllyer nga ballkonet e shtëpive. Shumë njerëz qëlluan me armë në ajër, duke festuar armëpushimin.

Zyrtarët në Gaza thonë se që nga fillimi i luftimeve më 10 maj, 232 palestinezë, përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, janë vrarë dhe më shumë se 1 mijë e 900 të tjerë janë plagosur.

Nga ana tjetër Izraeli shprehet se ka vrarë të paktën 160 luftëtarë në Gaza.

Armëpushimi erdhi pas mbledhjes së kabinetit izraelit dhe me ndërhyrjen e Egjiptit.

Vendimi u përshëndet edhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden përgëzoi Izraelin për armëpushimin.

Ai shtoi se Amerika e mbështeti Izraelin për t’u mbrojtur kundër grupeve terroriste.

Konflikti izraelito-palestinez

Konflikti izraelito-palestinez është një nga konfliktet më të zgjatura në historinë e njerëzimit.

Izraeli është shteti i vetëm hebre në botë, i vendosur në lindje të Detit Mesdhe.

Palestinezët, popullata arabe që vjen nga toka që Izraeli kontrollon tani, i referohen territorit si Palestinë dhe duan të krijojnë një shtet me atë emër. Konflikti izraelito-palestinez, me pak fjalë qëndron në atë se kush e merr atë tokë.

Lufta e vitit 1948 solli largimin e 700 mijë palestinezëve nga shtëpitë e tyre, në atë që këto të fundit e quajnë Nakba, “katastrofë”.

Tensionet shpesh janë të larta midis Izraelit dhe palestinzëve që jetojnë në Jeruzalemin Lindor, Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Gaza dhe Hamas-i

Gaza drejtohet nga një grup militant palestinez i quajtur Hamas, i cili është në konflikt me Izraelin.

Ai është në listën e grupeve terroriste për Izraelin, SHBA-në dhe  Bashkimin Evropian. Izraeli dhe Egjipti kontrollojnë fuqimisht kufijtë e Gazës për të ndaluar arritjen e armëve Hamas-it.

Palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor thonë se po vuajnë për shkak të veprimeve dhe kufizimeve izraelite. Izraeli, nga ana tjetër thotë se po vepron vetëm për të mbrojtur veten nga dhuna palestineze.

Gjërat janë përshkallëzuar që nga fillimi i muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, në mes të prillit 2021, me përplasje natën midis policisë dhe palestinezëve.

Dëbimi i kërcënuar i disa familjeve palestineze në Jeruzalemin Lindor gjithashtu ka shkaktuar zemërim në rritje.

Hamas-i kërkon të zëvendësojë Izraelin me një shtet palestinez. Ai qeveris gjithashtu Gazën në mënyrë të pavarur nga Autoriteti Palestinez.

Ai u themelua në vitet 1980 dhe ka qenë kundër organizatës së Yasser Arafat për Çlirimin e Palestinës (PLO) që nga fillimi i saj.

Ka pretendime që qeveria izraelite ndihmoi në financimin e Hamasit në ditët e saj të hershme, për të krijuar një kundërpeshë ndaj PLO-së.

Ndryshe nga PLO-ja, Hamas-i nuk e njeh të drejtën e Izraelit për të ekzistuar si shtet.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore