Bota

Arrestohet ushtari amerikan pasi ndihmoi Shtetin Islamik


Është arrestuar nga Byroja Federale e Hetimit (FBI), një ushtar amerikan, i cili mendohet se ka ndihmuar me këshilla taktike Shtetin Islamik (IS), për kryerjen e disa sulmeve terroriste në New York dhe ndaj forcave të SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Prokurorët kanë akuzuar Cole James Bridges, për dhënie informacioni të rezervuar. Një informator i infiltruar nga FBI-ja, i kërkoi Bridges-it t’i jepte asistencë për disa sulme. Ky i fundit, i tregoi agjentit të infiltruar si të vriste ushtarët amerikanë në Lindjen e Mesme. Ai kishte shtuar gjithashtu se do të radhitej në anën e xhihadistëve nëse këta të fundit sulmonin New York-un.

Ishin të shumta sulmet që ushtari amerikan kishte projektuar. Një ndër to, parashihte shpërthimin e disa urave në New York. Një tjerër, ndërtesat shtetërore amerikane. Memoriali i 11 shtatorit në Manhattan, ishte gjithashtu i pikasur si vend për kryerje sulmi.

Bridges-i kishte dhënë edhe informata mbi skemat që Ushtria Amerikane përdor gjatë betejave. Deklarata e tij se do t’i bashkohej xhihadistëve, ka ngjallur frikë tek autoritetet në SHBA. Po hidhen dyshime se mund të jetë një grup më i madh i përfshirë në rrjedhjen e informacioneve konfidenciale.

Si provë për besnikërinë e tij nga IS-it, Bridges-i kishte dërguar foto ku shfaqej me flamurin e zi të Shtetit Islamik.

Ushtaraku amerikan mund të përballet me një dënim deri në 40 vite. Ky arrestim, vjen pas trazirave të shumta të shkaktuara nga ekstremi i djathtë në SHBA, të kulmuara me dhunën dhe bastisjen e Capitol-it./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore