Lajme

Arrestohet për tradhëti të lartë një nga ekspertët kryesorë rusë të raketave bërthamore, akuzohet për dekonspirim informacionesh sekrete


Profesor i Asociuar Anatoli Gubanov është arrestuar me akuzën se ka dekonspiruar të dhëna të klasifikuara të aviacionit rus në agjenturat perëndimore. 63-vjeçari po përballet me akuza për tradhëti të lartë, duke rrezikuar 12 deri në 20 vite burgim.

“Sipas hetimit, Gubanov dorëzoi të dhëna sekrete të zhvillimit të aviacionit jashtë vendit” – tha një burim ligjor i lidhur me këtë çështje.

Shkencëtari kryesor kishte punuar me ekspertë perëndimorë në një projekt ndërkombëtar të quajtur Hexafly-Int duke synuar zhvillimin e një avioni pasagjerësh me shpejtësi të lartë që funksionon me karburant hidrogjeni. Ky projekt përfshinte specialistë nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Hollanda, Belgjika, Italia dhe Australia.

Gjatë një gjykimi me dyer të mbyllura, u vendos që Gubanov të mbahej në paraburgim deri në shkurt. Spekulime të ndryshme e lidhin këtë çështje me raketën bërthamore që operon me dhjetë herë shpejtësinë e zërit, të përmendur nga Putin.

Gubanov është i fundit nga një numër i madh i shkencëtarëve dhe zyrtarëve rusë që janë arrestuar gjatë fushatës së ashtëquajtur “mania e spiunazhit”. Kolegët e Gubanov-it janë shprehur “të befasuar” nga arrestimi i një personaliteti shkencor “kaq të respektuar nga studentët e tij”./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore