Shqipëria

Arrestohet për drogë shqiptari i radhës në Britani


Emri i tij është Esmerald Xhafa, një 27-vjeçar, banues në Sheffield të Britanisë së Madhe dhe është shqiptari i radhës që bie në prangat e policisë angleze.

Nën drejtimin e një automjeti tip BMW, Xhafa u ndalua nga policët. Gjatë kontrolleve, u gjetën në mjetin e tij 15 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Po ashtu, në kroskod kishte edhe një listë me emra dhe 273 paundë.

Emra këta, të cilët mendohet se ishin personat, drejt të cilëve do të shpërndahej lënda narkotike.

Asnjë koment nuk i ka dhenë Xhafa policëve dhe prokurorëve. Mirëpo, në shtëpinë e tij, ajo çfarë u gjet, ishte edhe më shqetësuese për shqiptarin. 56 bimë kanabisi rriteshin në papafingo.

Me një sistem të sofistikuar hidroponik, ai kishte arritur të transformonte – edhe me ndihmën e energjisë elektrike – gjithë papafingon në një plantacion të vërtetë hashashi.

Nga të dhënat e para të britanikëve, mendohet se Xhafa është thjeshtë një hallkë e dobët e një grupi të gjerë kriminal. Kjo, pasi ai refuzon të flasë kategorikisht mbi çështjen.

Për këtë arsye, mendohet se ai bën pjesë në një organizatë të rrezikshme. Dhe, nëse ai flet, atëherë do ta ketë pisk punën me bashkëpunëtorët.

Avokati e përforcoi këtë teori, duke i bërë të qartë trupit gjykues se Xhafa ishte kërcënuar nga bosët e drogës për dëshmitë e tij.

I pyetur nga gjykatësi mbi faktin që nuk ka folur, Xhafa ishte i qartë.

“Ata që nuk kanë qenë ndonjëherë të përfshirë në biznesin e drogës, nuk arrijnë të kuptojnë si funksionon”.

Dënimi fillestar për të është prej 28 muajsh burgim. Gjysmën e tyre, ai do ta shërbejë pas hekurave. Pjesën tjetër, në liri me kusht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore