Lajme

Arrestohet një serb për krime lufte, Sveçla: Krimet që janë kryer në Kosovë as s’i harrojmë e as s’i falim


Xhelal Sveçla

“Krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk i harrojmë e as nuk i falim. Drejtësia për secilin akt ç’njerëzor ndaj popullatës së pafajshme është e pashmangshme”.

Kështu ka shkruar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, pas njoftimit se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë.

“I njëjti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marrë pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës”, shkroi Sveçla, teksa shtoi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.

“Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht”, theksoi ai, ndërsa tha se drejtësia ndonëse është vonuar, ajo është e pashmangshme.

“Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme”, përfundoi ai shkrimin e tij në Facebook.

Ndryshe, nga 14 shtatori i vitit 2022 kur u votua si projektligj në Qeverinë e Kosovës, nisma për të themeluar Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë nuk është materializuar pasi nuk shkoi asnjëherë për lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.

Në fakt, Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës me fushë veprim, anëtarë e platformë u themelua në vitin 2011. Ideja ishte që të ndihmonte në dokumentimin e krimeve të luftës së fundit në Kosovë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998 – 1999, janë vrarë më shumë se 13 mijë e 500 persona, 76 për qind e të cilëve besohet se kanë qenë civilë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore