Shqipëria

Arrestohet ish-kryebashkiaku i Himarës, aksidentoi fatalisht një 17-vjeçar


Specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë arrestuar në flagrancë ish-kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano.

Lajmi u bë i ditur nga Policia e Shtetit, duke cituar njoftimin zyrtar për shtyp.

Teksa drejtonte automjetin në aksin rrugor Orikum-Llogara, në afërsi të fushës së sportit, ish-zyrtari ka aksidentuar fatalisht shtetasin E. H., 17 vjeç, banues në Dukat, i cili lëvizte në këmbë.

Si pasojë e dëmtimeve të marra, shtetasi 17-vjeçar me iniciale E.H., ndërroi jetë në orët e para të 22 dhjetorit tek Spitali i Traumës.

Policia shtoi se materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.

Kjo, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Sipas burimeve policore, ngjarja ndodhi ditën e djeshme rreth orës 17:00 në Llogara.

Bollano përgjatë viteve, është shfaqur publikisht si një personazh me qëndrime anti-shqiptare, që prej deklaratave të para se në jug të Shqipërisë banojnë 300 mijë grekë apo deri edhe tek vendimet kur drejtonte Bashkinë Himarë, për të hequr tabelat rrugore në gjuhën shqipe e për t’i zëvendësuar ato me tabela në gjuhën greke.

Më parë, ai ka qenë edhe i dënuar me gjobë dhe gjashtë muaj burgim nga Gjykata, por më pas në apel e ktheu çështjen duke e zhbërë vendimin.

Teksa, prej kohësh, ai është president i grupit “Omonia” dhe pjesë e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila njihet edhe si partia e minoritetit grek.

Bollano e humbi në vitin 2011 kreun e Bashkisë pasi u mund nga rivali socialist, Jorgo Goro.

Teksa, në kohë, jo pak herë janë vërejtur lidhje të tija në Greqi me politikanë të ekstremit nacionalist.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore