Arrestohet autori i plagosjes së policit në Pilur
Vitjon Nina
16.08.2023 9:25Është vënë në pranga nga Policia e Shtetit autorit i plagosjes së një efektivi të Policisë Lukovës, teksa ky i fundit është në luftë për jetën, pas plagëve të rënda që ka marrë, si pasojë e goditjes me thikë në qafë.
Sipas një raportimi policor, ndjekja për kapjen e autorit filloi që në orët e mesnatës dhe ai tashmë ka rënë në pranga.
Autori është identifikuar si Theodhori Mërkuri, 60-vjeçar, nga fshati Pilur.
Shtetasi Theodhori Mërkuri pasi ka goditur punonjësin e Policisë është larguar menjëherë duke përfituar nga errësira.
Në ndjekje të tij janë vënë shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, grupe të FNSH dhe të forcave operacionale të DVP Vlorë.
Prej orësh ndërkaq, punonjësi i Policisë me detyrë inspektor në zonën e Lukovës, ndodhet në sallën e operacionit dhe kolegët e tij policë, i janë gjendur pranë duke dhuruar gjak.
U plagos pasi ndërhyri për shuarjen e një konflikti, në gjendje kritike një polic 28-vjeçar
Efektivi 28-vjeçar, R.Ç., është goditur në qafë me një mjet prerës (thikë) kur ka ndërhyrë për shuarjen e konfliktit dhe ka marrë një plagë të rëndë.
Ndaj, ai ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të 15 gushtit, kur disa persona po konfliktoheshin njëri me tjetrin dhe efektivi ka ndërhyrë për t’i ndarë, pavarësisht faktit se ishte jashtë orarit të shërbimit.