Shqipëria

Arrestohet autori i aksidentit në Berat, ishte në gjendje të dehur


Policia e Beratit ka arrestuar mëngjesin e 29 janarit drejtuesin e mjetit, i cili shkaktoi aksidentin e mbrëmjes së 28 janarit me një të plagosur.

“Nga specialistët e qarkullimit rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E.D, 37 vjeç, banues në lagjen “Kushtrim” Berat. Ai duke drejtuar mjetin tip “BMW” ka humbur kontrollin dhe ka goditur katër mjete. Mjetet ishin të parkuara. Ai është larguar nga vendngjarja”, ka njoftuar policia.

Si pasojë e aksidentit mbeti i plagosur pasagjeri në mjetin e tij, shtetasi I.Th, 39 vjeç. Ai është dërguar për të marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Traumës, Tiranë.

Pas testit të alkoolit, rezultoi se drejtuesi i mjetit, shtetasi E.D. ishte në gjendje të dehur, në masën 0.78 miligram për litër. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore