Bota

Arrestohet Alexei Navalny pas kthimit në Moskë


Është arrestuar menjëherë pas mbërritjes në Moskë, kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny. Ai kishte paralajmëruar se do të kthehej të dielën në Rusi. Kremlini gjithashtu kishte deklaruar se nëse Navalny kthehej, do të arrestohej.

Navalny u nis nga Gjermania drejt Rusisë, në një avion të mbushur me reporterë që ndiqnin kthimin e tij në atdhe. Opozitari rus qëndronte në Gjermani prej gushtit të 2020-ës, ku ai çua për mjekim pas helmimit që pësoi, sipas tij, nga Shërbimet e Sigurisë Kombëtare Ruse (FSB).

“Të gjithë më pyesin nëse kam frikë. Nuk kam frikë”, tha Navalny përpara se të nisej drejt Rusisë. “Kjo është dita më e mirë e pesë muajve të fundit. Do të eci pa frikë drejt kontrollove kufitare”.

Ai ka vazhduar të theksojë faktin se akuzat ndaj tij kanë qenë të stisura nga Kremlini. “Të gjitha çështjet e ngritura ndaj meje janë të fabrikuara”, tha Navalny.

Lajmin e parë menjëherë pas arrestimit, e dha avokati i tij. Një transmetim direkt i Navalny-t duke folur me disa oficerë policie me uniforma të zeza u shfaq në televizionin rus, TV Rain.

Një deklaratë nga Shërbimi Federal i Burgjeve në Rusi, pohoi se aktivisti rus ishte arrestuar. “Ai ka thyer detyrimin e paraqitjes në gjykatë”, shkruhet në deklaratë.

Navalny vetë i ka cilësuar këto deklarata si “të motivuara politikisht”. Fakti është se, ai, ka qenë në Gjermani për t’u kuruar, Madje, disa ditë, ka qenë në gjendje kome.

Ai tashmë po mbahet nën arrest në qytetin e Khimki-t, në veri të Moskës. Nga zëdhënësja e tij për shtyp, u bë me dije se nuk po i lejohet asnjë kontakt me avokatët.

Pamja e fundit e Navalny-t, ishte kur ai puthi bashkëshorten e tij, Yulia, përpara se të shoqërohej nga aeroporti i Sheremeteyevo drejt burgut.

Përse u arrestua Navalny pas kthimit në Moskë?

Deklarata zyrtare e autoritete thekson mos respektimin e urdhrit të paraqitjes në gjykatë. Navalny gjithsesi ka qenë pesë muaj në Gjermani në gjendje të rëndë shëndetësore.

Historiku fillon që me kundërshtinë e tij ndaj Kremlinit. Navalny ka hyrë në skenën politike ruse në 2011-ën. Që prej asaj dite, ai ka qenë ndër figurat kryesore politike në Rusi.

Ai u pezullua nga sfera politike në 2017-ën, pas një rigjykimi lidhur me përftime financiare të dyshimta.

Pika më e nxehtë e çështjes Navalny, ishte në gusht të 2020-ës, kur ai u helmua me një substancë kimike të quajtur Novichok. Në një përgjim telefonik të zhvilluar nga agjencia investigative e lajmeve, Bellingcat, një oficer rus pranoi se Navalny ishte helmuar nga FSB-ja.

Pas transportimit drejt Gjermanisë dhe kurimit të Navalny-t, pati replika të shumta në distancë midis tij dhe Kremlinit. Rusia kërcënoi disa herë se ai duhet të kthehej për të respektuar urdhrin e paraqitjes.

Navalny, nga ana tjetër, mohonte çdo akuzë. Një urdhër arresti u bë publik javën e shkuar nga shërbimi i burgjeve në Rusi.

Tashmë, me kthimin dhe arrestimin e Navalny-t, duhen parë hapat që do të ndërmarrë Moska mbi kundërshtarin direkt të Putin-it./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore