Shqipëria

Arrestohet 30-vjeçari në Vlorë, në kërkim ndërkombëtar nga Spanja


Është finalizuar operacioni policor i koduar “Escape” për kapjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht.

30-vjeçari, pjesëtar i një grupi kriminal me aktivitet në fushën e narkotikëve në Spanjë, është kapur dhe arrestuar përkohësisht, me qëllim ekstradimi.

Në kuadër të këtij operacioni, si rezultat i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tirana, shtetasi Xh. H. banues në Vlorë, u kap në vendin e quajtur “Albano Romina”.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, pasi Gjykata Qendrore e Instruksionit në Spanjë, me vendimin e datës 01.02.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Këtë për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Grup kriminal” dhe “Mashtrim në fushën e energjitikës”, parashikuar nga legjislacioni penal spanjoll.

Ai akuzohet si pjesëtar i një grupi kriminal në Spanjë, që merret me kultivimin e marijuanës.

Ky grup ka përdorur shtëpi dhe ndërtesa industriale për kultivimin e kësaj bime dhe shtetasi Xh. H. dyshohet si personi që merrej me transportimin e materialeve dhe kultivimin e plantacioneve.

Grupi kriminal në fjalë llogaritet se ka vjedhur vazhdimisht energji elektrike, duke i shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit spanjoll.

Ndërkohë, materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore