Sport

Arrestohen disa futbollistë në Iran, po festonin Vitin e Ri me alkool dhe gra


Ata po festonin ardhjen e vitit të ri dhe po bënin dolli me alkool.

Një grup futbollistësh iranianë u arrestuan gjatë natës në Damavand, disa kilometra larg kryeqytetit të vendit Teheran, siç raporton agjencia lokale e lajmeve Tasnim.

Emrat e lojtarëve dhe as skuadrat në të cilat luajnë nuk janë bërë të ditur, por sipas rindërtimit të agjencisë bëhet fjalë për lojtarë të një ekipi të njohur kryeqytetas (më të fortët dhe më të titulluarit janë Esteghlal dhe Persepolis).

Në banesë po zhvillohej një “festë e përzier” (kanë qenë edhe femra) dhe policia dyshohet se ka ndërhyrë pas denoncimit të disa fqinjëve.

Agjencia shton gjithashtu se “disa prej tyre ishin në gjendje jonormale për shkak të konsumimit të alkoolit”.

Që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, në Iran është e ndaluar të marrësh pjesë në festa të përziera, me burra dhe gra, dhe të pish alkool, aq sa për gjyqësorin vendas, festat e natës duhet të kuptohen si shembull i “anormalitetit” dhe korrupsionit social”.

Vitet e fundit, në fakt kishte pasur shumë më tepër tolerancë, por protestat e ndezura nga vdekja e Mahsa Amini (vajzës kurde të arrestuar nga policia për moral për mosmbajtjen e duhur të hixhabit) kanë forcuar kontrollet.

Edhe lojtarët, pas protestave në Botëror (kundër Anglisë nuk kënduan himnin kombëtar), u paralajmëruan se nuk do të gëzonin asnjë zbritje.

Ligji iranian gjithashtu ndalon shitjen dhe konsumimin e alkoolit dhe ndalon kërcimin me seksin e kundërt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore