Bota

Arrestohen 35 të dyshuar për lidhje me IS-in në Turqi


Janë arrestuar 35 persona të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik (IS), nga një operacion kundër terrorizmit në 15 provinca të Turqisë.

Policia turke zhvilloi disa operacione në zona të ndryshme të Gaziantep-it. Gjithashtu u sekuestruan disa materiale të dyshimta, raporton agjencia e lajmeve Anadolu Agency.

Në Stamboll, policia arrestoi 16 të dyshuar në 20 banesa të ndryshme. Të dyshuarit ishin të shpërndarë në pesë distrikte të Stambollit.

Këtë operacion e zhvilluan forcat e ndërhyrjeve speciale. Kërkime po zhvillohen edhe për të implikuar të tjerë të dyshuar.

Sipas autoriteteve, grupi terrorist po kërkonte të vendoste një formacion të ri ekstremist në Turqi. Kjo lëvizje e tyre vjen pas sulmeve turke në Siri. Nga dëshmitarë të ndryshëm, është bërë me dije se grupi terrorist po kërkonte të rrëmbente gjyqtarë dhe prokurorë.

Në gusht të 2020-ës, autoritetet turke arrestuan një emir që kishte lidhje me IS-in. Mahmut Özden. Ai kishte planifikuar një sulm në xhaminë e madhe Hagia Sophia. Shënjestër e sulmeve ishin politikanë turq dhe krerë të organizatave jo qeveritare.

Turqia ishte një ndër shtetet e para, në 2013-ën, që e cilësoi IS-in si grupim terrorist./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore