Shqipëria

Arrestimi i gjyqtares, KLGJ-ja merr masa për vijimin e punës në gjykatë


Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka reaguar pasi Prokuria e Posaçme (SPAK) arrestoi gjyqtaren e Krujës, Enkeleda Hoxha. Kjo e fundit është shkarkuar nga detyra për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë lidhur me arrestimet e kryera nga (SPAK), garanton opinionin publik se ka marrë të gjitha masat për vijimin e veprimtarisë së gjykatës, për të garantuar aksesin e qytetarëve në drejtësi”, thuhet në njoftim.

Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se nuk mund të japë udhëzime nё lidhje me proceset gjyqësore që zhvillohen në gjykatë.

“Procese të cilat duhet të zhvillohen pa asnjë ndikim, të çfarëdolloji”, sqaron ai.

Më tej shtohet se si organ i qeverisjes së pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor respekton pavarësinë institucionale dhe të drejtën e qytetarëve për proces të rregullt ligjor.

“Këshilli do të marrë në vazhdimësi të gjitha masat e duhura për të garantuar vijueshmërinë e veprimtarisë së gjykatave dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor”, theksohet në njoftimin e KLGJ-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore