Shqipëria

‘Arrestimet në Morinë’, Alibeaj: Akuzat e PD-së për Polici të korruptuar u konfirmuan


Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka reaguar lidhur me arrestimet e punonjësve të policisë të Pikës Kufitare në Morinë.

Sipas tij, arrestimet konfirmuan akuzat e PD-së “për korrupsionin e çdo segmenti të policisë së “rilindur” me militantë e patronazhistë të cilët e kanë kthyer këtë strukturë të shtetit në një sistem korrupsioni e kontrabande”.

“Kjo qeveri e ka kthyer fatkeqësisht policinë në një shërbëtore të krimit dhe korrupsionit, duke e përdorur ashtu siç e përdori për 8 vite me radhë si argate në plantacionet e hashashit, ku punonjësit e policisë me uniformë shërbenin si roje, ngarkues e garantues të drogës së bandave kriminale”.

Alibeaj deklaroi se Partia Demokratike e ka denoncuar me zë e figurë shndërrimin e policisë së shtetit në një shtojcë të korrupsionit shtetëror dhe shërbyese të krimit dhe do të vazhdojë ta denoncojë këtë skemë kriminale.

“Policia e Shtetit nuk është më shërbyese e qytetarit dhe garantuese e rendit e sigurisë, por thjesht një armë e qeverisë së korruptuar që tashmë është vendosur tërësisht në shërbim të korrupsionit qeveritar që ka kapur çdo pushtet e po varfëron gjithnjë e më shumë çdo shqiptar e Shqipërinë”.

Prokuroria e Posaçme dokumentoi 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë kufitare të Morinës, duke urdhëruar arrestimin e 31 personave. Ndërsa ka pezulluar tre të tjerë.

Mes tyre, i arrestuar është edhe drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Kukës.

Të gjithë akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në bazë të hetimeve të SPAK-ut, të gjithë këta shtetas me detyrë punonjës policie favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë, persona që trafikonin automjete dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Sakaq ata ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre në vendet e Bashkimit Evropian, sa u përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar.

Po ashtu, ata ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë masën “arrest me burg” për 17 persona, “arrest në shtëpi” për 14 dhe “pezullim nga detyra” për tre prej tyre.

Ndërkohë Policia e Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurimit personal caktuar nga ana e gjykatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore