Shqipëria

Arrestimet e kryebashkiakëve socialistë, ndikimi në zgjedhjet e 14 majit


Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie për askënd!

Është kjo shprehja e stërthënë nga zyrtarët më të lartë socialistë, kur pyeten për arrestimet në radhët e tyre.

I fundit ishte Lefter Alla, kryebashkiaku i Bulqizës, i cili u arrestua pas urdhrit të dhënë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Nga viti 2015 deri më sot, ka pasur disa arrestime të kryebashkiakëve të dalë nga mazhoranca.

Emra si Shpëtim Gjika (Vlorë) Shukri Xhelili (Dibër), Elsiv Roshi (Kavajë) dhe Fatos Tushe (Lushnjë) nuk arritën t’i shpëtonin rrjetës së drejtësisë.

Por arrestimi i Allës në këtë kohë merr edhe një ngjyrim tjetër, lidhur me faktin se shumë shpejt qytetarët shqiptarë i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e bashkive ku ata jetojnë.

A pritet që arrestimet e kryera të kenë ndikim të vota e dhënë për socialistët?

Pak, ose aspak është përgjigjja e dhënë nga dy analistët e mirënjohur politikë, Ben Andoni, dhe Fitim Zekthi për Albanian Post.

Kjo për ta lidhet me arsye më të mëdha siç është ndërtimi i sistemit politik në vend.

Andoni në arsyetimin e tij thekson se, situata politike në Shqipëri, mënyra se si funksion në tërësi nuk është aq i prekshëm nga fenomene të tilla, për shkak se sistemi i drejtësisë po merret më shumë vetëm me ish-ët dhe pushtetarët lokalë të bashkive të vogla.

Ndaj, për këtë arsye analisti i qëndron faktit se “çdo kush që është në fuqi e di mirë se ka një imunitet, që lidhet me shumë konjuktura”.

“Këtë e shikon sot, që shumica që denoncojnë ose denoncohen u ndodh vetëm kur lenë postet. Sistemi ynë politik është në të vërtetë fytyra e dy partive kryesore, ashtu si është edhe modeli ekonomik, pa fizionomi të qartë, që ka zgjedhur vendi ynë prej tyre”.

Në të njëjtën linjë mendimi qëndron edhe Zekthi, i cili për AP-në e cilëson sistemin politik si neopatrimonializëm, në të cilin “qeverisja ka krijuar një marrëdhënie padron klient gati në të gjithë strukturën dhe zinxhirin tonë shoqëror”.

Zekthi në këtë sistem mendon se gjenden të përfshira edhe një pjesë shumë e madhe e forcave të opozitës të cilat “kanë gati 30 vite që rrinë aty, janë alternuar në pushtet me PS-në, dhe kanë edhe ato lidhjet dhe peshën e tyre në këtë sistem”.

Nga ana tjetër, Andoni thekson se e gjithë situata e krijuar është e “trishtë”, jo vetëm për “votën”, por edhe për integritetin e forcës politike që i ka zgjedhur.

Po ashtu e trishtë, për të, dhe për modelin që ka ngritur Partia Socialiste e pretendimin se ajo bën proces të drejtë të zgjedhjes së njerëzve të saj drejtues.

Në një përballje me këtë Parti Socialiste kemi një Parti Demokrate të fragmentuar në dy kampe.

Njëri kamp i drejtuar legalisht nga Enkelejd Alibeaj, dhe tjetri i drejtuar nga Sali Berisha (pa vulë) që po kërkon një koalicion.

Të dy analistët mendojnë se situata në PD do të ketë ndikimin e saj, por ndahen në disa pika.

Andoni shprehet i bindur se këto zgjedhje do të tregojnë një ekuilibër të ri politik, ku PS-së do t’i mungojë fitorja e plotë dhe do të njohë realitetin e ri edhe në këtë gjendje që është opozita.

Ndërkohë Zekthi thotë se edhe pse Shqipëria përballet me “një kalbëzim të qeverisjes në tërësi”, ndryshimi dhe rotacioni nuk mund të ndodhë, kjo sepse forcat opozitare janë në luftë mes vetes.

“Ato janë të paafta për të bartur këtë dëshirë apo nevojë për rotacion”, thotë ai.

Të humbur në këtë mes: elektorati gri.

Arsyet për Andonin janë shumë të thjeshta.

“E para se nuk mund të shprehet si duhet përmes forcave politike, e dyta se nuk shikojnë të gjenerohet shpresë për të ardhmen”.

Sipas tij, ata janë kontingjenti, që do braktisi kutitë e votimit, “sepse e ndjen veten të fyer me retorikën, sjelljen dhe uzurpimin pa skrupull të politikanëve”.

Të gjendur përballë kësaj situate, Andoni shprehet se Partia Socialiste do të vazhdojë të denigrojë me të gjitha format kundërshtarët e tyre të PD-së, së dy krahëve të saj, në mënyrë që të balancojnë punën aspak të mirë të pushtetit lokal gati monocolor.

E Zekthi i qëndron linjës së tij se arrestimet do të ndikojnë shumë pak ose aspak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore