Shqipëria

Arrest shtëpie për ish-kandidatin e LSI-së, i akuzuar për korrupsion


Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të dielën e 17 tetorit vendosi masën “arrest shtëpie”, për ish-kandidatin për deputet të Lëvizjes Socialiste për Integrim, i akuzuar për korrupsion.

Një ditë më parë Eltjon Joka, u arrestua nga policia me urdhër të GJKKO-së. Kjo e fundit kishte caktuar në mungesë masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin E. J..

Policia e Tiranës ekzekutoi vendimin penal për arrestimin e 32-vjeçarit, i akuzuar për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Dy ditë para zgjedhjeve u publikua një video ku Joka shfaqej duke premtuar para për blerjen e votave në Tiranë.

Me audio, në një video të publikuar, Jako u shfaq teksa i jepte 100 dollarë një qytetari që ishte angazhuar të mblidhte vota për LSI-në. Po ashtu në të njëjtën video, vijonin pazaret ku premtonin punësim për qytetarin pas zgjedhjeve.

Këto akuza Joka i ka mohuar. Ai ishte i renditur i 22-ti në listat e LSI-së në Qarkun e Tiranës, ndërsa mori vetëm 320 vota në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore