Sport

Armand Duka flet për 2021 e kuqezinjëve: Broja është talent, por akoma futbollist i madh


Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Super Sport”, ku ka prekur disa nga pikat më interesante të futbollit shqiptar, për këtë vit që po mbyllet.

Dy vitet e fundit, pandemia e COVID-19 ka prekur shumë fusha të jetës, mes tyre edhe sportin. Pavarësisht se situata nuk ka qenë shumë e favorshme, Duka pohon se futbolli shqiptar ka bërë hapa përpara.

“Me kënaqësi konstatoj që futbolli shqiptar në nivelin ndërkombëtar ka bërë diçka përpara, ka dhuruar garë emocionale, ka dhuruar edhe kualitet dhe ka arritur edhe rezultate historike apo rekorde që nuk i ka arritur asnjëherë më parë në këto vështirësi”, tha Duka.

“Siç e thashë, nëse nuk do ishin këto vështirësi, jam i sigurt që do arrinim më shumë. Kemi arritur vendin e tretë në kualifikueset e kampionatit Botëror, kemi arritur 18 pikë si asnjëherë tjetër. Pa dyshim që do arrinim më shumë nëse do ishim në kushte normale”.

“Kundër Hungarisë, në të gjithë historinë e Shqipërisë nuk kemi arritur një rezultat pozitiv dhe ka qenë për herë të parë në histori kur ne kemi fituar kundër tyre në “Elbasan Arena” dhe për herë të parë shënuam një gol”.

“Fati ynë i keq që ne patëm një Angli të nivelit më të lartë të historisë së saj. Nëse nuk do ishte pandemia, e theksoj sërish, pasi ndeshja me Poloninë ka një lloj pengu për mua dhe për të gjithë skuadrën, pasi në ditën e ndeshjes ne humbëm 3 futbollistë për arsye të Covid-it dhe kishim dhe 3 dëmtime”, shtoi kreu i federatës.

Duka nuk la pa përmendur edhe elementët e talentuar që ka kombëtarja kuqezi. Sipas tij, disa nga lojtarët e spikatur te Shpresat janë gati për ekipin A.

“Kemi lojtarë premtues. Ata që kanë arritur në ekip Kombëtar, emrat që thatë ju dhe të tjerë dhe ata që luajnë në ekipin U-21, që për mendimin tim janë të gatshëm për të debutuar gjatë vitit 2022 në ekipin e parë”, theksoi 59-vjeçari.

“Kemi lojtarë si (Marash) Kumbulla te Roma apo (Armando) Broja në një kampionat si ai anglez dhe jo vetëm prezent në fushë, por edhe me shenja në atë kampionat, me gola të shënuar”.

“Mendoj se janë gati për t’u afruar dhe për të ndihmuar ekipin e parë, si (Kristjan)  Asllani, që ka qenë bazë e ekipit Shpresa gjatë këtij viti, luan në Empoli, apo (Enea) Mitaj që është ofruar njëherë në ekipin e parë dhe mbase është gati për të dhënë kontributin e ti”, shtoi ai.

Më pas, Duka ka prekur edhe çështjen e shumëpërfolur mes trajnerit, Edoardo Reja dhe Brojës, duke thënë se ky i fundit nuk ka pasur sjellje të mirë.

“Diferencë e madhe në fakt. Një 76 vjeçar me një 20 vjeçar, mbase e kanë pasur të vështirë. Gjithsesi, unë kam vlerësime pozitive maksimale nga pikëpamja sportive për të dy. Edhe për 20 vjeçarin, edhe për 76-vjeçarin”, tha presidenti i FSHF-së.

“Broja është një futbollist me talent, nuk mund të themi akoma që është bërë një futbollist i madh. Pasi që të themi që është bërë një futbollist i madh, i duhet akoma kohë”.

“Por ka potencial dhe mundësi dhe të gjithë ne duhet të jemi pozitivë për ta shtyrë atë që të bëhet një futbollist i madh për veten e tij, por edhe për ne, pasi ne na mungojnë talente të tilla”.

“Futbolli është një lojë kolektive dhe askush nuk mund ta marrë rezultatin vetëm dhe nëse nuk ka të gjithë kolektivin, nëse nuk ndihmojmë njëri-tjetrin në çdo centimetër”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore