Lajme

Arma sekrete e Ukrainës – mjekët në vijën e zjarrit


Në Ukrainën jugore, qyteti i Khersonit është çliruar, por në lindje afër kufirit rus, luftimet vazhdojnë ende dhe numri i viktimave po rritet.

Në një qendër spitalore ku frika nga granatimet ruse është e përditshme, një ekip i përkushtuar mjekësh – shumë prej të cilëve dolën vullnetarë për shërbim në fillim të luftës – po shpëtojnë jetë.

Informacioni u dha nga media britanike “BBC”, stafi i së cilës kaloi pothuajse një javë me ta.

Gjaku, hekuri, djersa dhe papastërtitë janë zhytur në muret dhe dyshemetë e spitalit fushor ukrainas.

Pavarësisht se sa fort pastrohet nga stafi mjekësor i ushtrisë ukrainase, një erë metalike e përndjek vendin.

Ngjitet pas rrobave të mjekëve dhe në autoambulanca prania e aromës është e jashtëzakonshme.

“Edhe kur e lani gjakun dhe spërkatni me peroksid, ka gjithmonë këtë erë të tmerrshme që kurrë nuk do ta harroni”, thotë Valeria, 21 vjeç, një ndihmës anesteziste për “BBC”.

Qendra e traumës është ngritur në një ndërtesë të braktisur, ku më shumë se një duzinë mjekë dhe infermierë punojnë dhe jetojnë së bashku nën bombardime.

Zhurma e zjarrit të artilerisë në dalje është e vazhdueshme.

Gazetarët e “BBC-së” që kanë qëndruar me mjekët në qendrën shëndetësore thonë se në pesë ditët që kanë kaluar aty me ta, bombat ruse bien rreth klinikës pothuajse çdo ditë, ndërsa ukrainas të vdekur dhe të plagosur mbërrijnë në derën e tyre.

Para luftës, Valeria punonte në një spital në veri të Kievit.

Ajo është mësuar me trauma.

Pa asnjë fjalë për familjen e saj, ajo doli vullnetare për shërbimin ushtarak dhe që atëherë ka shpëtuar jetë në disa nga frontet më të rrezikshme.

“Unë kam punën më të mahnitshme në botë. Unë mbroj heronjtë”, thotë ajo.

“Ata na mbrojnë ne dhe unë jam këtu për t’i mbrojtur ata – dhe jo për t’i lënë ata të vdesin”.

Si pjesë e ekipit të anestezisë, ajo thotë se është aty për të lehtësuar dhimbjen e të plagosurve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore