Shqipëria

Arlind Gjokutaj shtrohet në spital dhe mungon në seancën gjyqësore


Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Arlind Gjokutaj do të mungojë gjatë seancës gjyqësore së 13 janarit lidhur me njohjen e masës së sigurisë, për shkak të problemeve shëndetësore.

Ish-zyrtari gjendet në spital për trajtim për shkak të problemeve me zemrën.

Në seancë u paraqit vetëm drejtori i çështjeve ligjore në MFE, Fatmir Hoxha dhe përmbaruesi privat Alban Ruli.

Kujtojmë që, ndaj tyre është vendosur në mungesë masa “arrest me burg”.

Më herët, dosja hetimore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë zbuloi se Gjokutaj ka qënë në dijeni të mashtrimit ndaj instancave shtetërore.

“Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë është vënë në dijeni se pagesa e detyrimit është kryer e plotë. Pavarësisht kësaj MEMO-je, është vijuar me ekzekutimin për një vendim të ekzekutuar tashmë dhe në kundërshtim me ligjin duke i sjellë një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit”, shkruhet fillimisht në dosje.

Sipas prokurorisë, organi procedues në kushtet kur ka vendosur sekuestrimin e llogarive bankare të shtetases Shpresa Prifti (motra e Ilir Thanës) dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit kontraktuar nga Ilir Thana si dhe ka kryer një sërë veprimesh të tjera hetimore të hapura.

Këto të fundit, dyshohet se kanë informuar personin nën hetim, si dhe nisur nga fakti se personi nën hetim ka tërhequr për një kohë të shkurtër rreth 23 milionë lekë të vjedhura nga buxheti i shtetit, çmon se ka rrezik të ikjes së këtij personi, shkruhet më tej në dosje.

Çfarë dihet deri më tani?

Një “rastësi” në filtrin e kontrolleve bankare, do të bënte që zyrtari të përfundonte pas hekurave, në bazë të një hetimi të ndërmarrë nga prokuroria.

Këtë, mbi detyrën që Gjokutaj ka marrë në tetor 2021, ku u vendos edhe si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Në tërësi, bëhet fjalë për një dëm që i është shkaktuar shtetit shqiptar, në vlerën e 1.2 milionë eurove, për të cilin Gjokutaj akuzohet së bashku me dy shtetas të tjerë, njëri drejtor i shërbimeve mbështetëse dhe çështjeve ligjore si edhe një përmbaruesi gjyqësor privat.

Skema, sipas burimeve të Albanian Post, është zbuluar në mënyrë krejt rastësore, pas një denoncimi që është bërë nga një bankë e nivelit të dytë në vend.

Sipas denoncimit, shtetasi I.Th. (edhe ky i arrestuar në dhjetor 2021), pati kërkuar një shumë prej 300 mijë eurosh, lidhur me përfitimin e një prone, por në realitet atij i janë dhënë 1.2 milionë euro.

Kësti i parë i depozituar, ka qenë prej 480 mijë eurosh dhe në atë kohë kur është disbursuar, I.Th. nuk ka mundur të shkojë në bankë, sepse ka qenë kreditor me një shumë të pa paguar.

Për këtë arsye, ai dërgon atje të motrën për tërheqjen e lekëve dhe pikërisht në këtë rrafsh, banka ngre alarmin mbi një lëvizje të pamundur për t’u bërë, pa u shlyer kredia, duke e çuar çështjen në Prokurori.

Këtu nis edhe hetimi e më pas evidentimi i gjithë skemës së krijuar nga Gjokutaj e bashkëpunëtorët për përfitim.

Kush është Arlind Gjokutaj?

Arlind Gjokutaj e ka nisur në administratën publike si koordinator i posaçëm për ekonominë, pranë Këshillit të Ministrave, në vitin 2015 e deri në vitin 2017.

Më pas, është bërë Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave në dyvjeçarin e ardhshëm.

Postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, e ka marrë në vitin 2019 dhe e ka mbajtur një vit.

Në dy vitet e ardhshme, ka mbajtur postin e drejtorit të Përgjithshëm të Njësisë Speciale Anti-korrupsion dhe Anti-evazion.

Më pas, është bërë sekretar i Përgjithshëm i MFE-së në tetor 2021 dhe e ka mbajtur deri sot postin, duke treguar edhe një mbështetje e besim të fortë politik që ka pasur gjatë gjithë kësaj kohe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore