Lajme

Arkitekti Përparim Rama, kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama

Arkitekti Përparim Rama, është kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë.

Kështu ka bërë të ditur me anë të njoftimit në Facebook, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka shkruar se “Përparim Rama është arkitekti e urbanisti më i njohur shqiptar – i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë”.

“Përvoja e jashtëzakonshme e tij me punë në Londër tash e sa vjet e bën Përparimin një aset nacional të vendit; një përfaqësues të denjë të komuniteti profesional e shoqërisë në përgjithësi – brenda e në diasporë padallim”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

I njohur për angazhimin e tij kryesor në planifikim hapësinor të Lojërave Olimpike në Londër në vitin 2012; për angazhimin e tij në ndërtimin e vizionit të Doha’s, kryeqytetit të Katarit; për projekte madhore në New York, Dublin, Bazel, Pragë e deri në Damask të Sirisë – Rama i Prishtinës mbanë një bagazh të mbresëlënës të shenjave që i mbijetojnë kohës”.

“Tani ka ardhë koha që ecjen e tij nëpër botë ta ndërpresim; e këtë bagazh të madh të tij ta kthejmë në qytetin e tij e tonin – në Prishtinë. Ky vend bëhet mirë kur më të mirët japin veten. Përparimi është i tillë”.

Kryetari i LDK-së shton se me Ramën ai është takuar disa herë ‘’për të folur rreth problemeve më bazike të kryeqytetit’’.

“Gjatë muajve të fundit kam takuar Përparimin disa herë. Kemi folur shtruar e qartë për problemet më bazike të kryeqytetit. Për ngufatjen, ndotjen, ngarkesën e për dhënien e shpirtit të qytetit – të pamjes e përvojës, të hapësirës e komunitetit, të organizimit të vet jetës – të ndërtimit të Prishtinës në qytetin që e duam të gjithë”.

“Kam qenë i mahnitur jo vetëm me dashurinë e tij ndaj Kryeqytetit por edhe me zgjidhjet e tij për problemet tona më bazike. Përparimi ka vizionin që e kërkojmë tash e sa kohë. Jam i bindur se do ta pranoni këtë vizion”, shkroi Abdixhiku.

“Përparimi i Prishtinës është edhe përparimi jonë që e kërkojmë tash e sa kohë. Qytetit po i japim një kryetar që i jep shkëlqimin që e meriton; e LDK-së rikthimin e madh”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore