Art&dizajn

“Arki-tortura” e lagjeve të Prishtinës


Prishtina

Qysh nga paslufta, në Prishtinë dhe në të gjitha qytetet e tjera të Kosovës, filloi një bum i madh i ndërtimeve.

Sipas arkitektit Arber Sadiku, i cili ka bërë një shkrim të gjatë në llogarinë e tij në Facebook, ndërtimi i shpejt fillimisht ngjante si nevojë për kulm mbi kokë, “pak si rrjedhojë e shkatërrimeve të luftës e pak nga ndalimi i ndërtimeve përgjatë regjimit dhjetë-vjeçar të (Slobodan) Millosheviç-it”.

Për Sadikun arkitektura është pasqyrim i vetë disponimit social, prandaj në periudhën e veshtarë të pasluftës, ndërtimi s’kishte si të ishte ndryshe pos si disponimi i njerëzve – kaotik, i paqartë dhe i zymtë.

“Nga një perspektivë e përgjithshme këtë periudhë e kam përkufizuar si konfuze, të shpërqendruar, të paqartë në vizion, e që u pasqyrua në të njëjtën masë dhe formë konfuze, të shpërqendruar dhe pa vizion edhe në arkitekturë”, ka thënë Sadiku.

Por, sipas arkitektit kosovar edhe pasi kalojë kjo periudhë mënyra se si ndërtohet mbeti e njëjtë, por tashmë për arsye të tjera.

“Nga nevojë për strehim u transformua në epsh për pasurim”, thotë ai.

Arber Sadiku, arkitekt

“Shtëpitë individuale dhe zonat e banimit të ndërtuara me dashuri në vitet e 80-ta, të mbuluara nga gjelbërime me shije nëpër lagjet si: Pejtoni, Bregu i Diellit, Dodona, Tophanja, Emshiri, u detyruan që t’ua japin ndërtueseve në kompensim të disa apartamenteve”.

Qyteti, siç e shpjegon Sadiku, filloi të trajtohet si parcelë gjigante ndërtimi, ku në çdo vend të lirë të tij duhej të ngulitej nga një ndërtesë.

“Pra, parcelat që dikur këndshëm komunikonin me shtëpitë individuale të vendosura në përputhshmëri me madhësinë e tyre duke krijuar harmoni në mes veti, u përdhunuan nga ndërtesat gjigande shumëbanesore”.

Sadiku shkruan se mënyra tjetër që ndikoi dukshëm në shpërfytyrimin e qytetit, është mënyra e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

“Në shumicën e rasteve, prona të këtyre ndërmarrjeve privatizoheshin jo për të rigjallëruar karakterin industrial apo biznesor të tyre, por duke u parë si parcela atraktive për ndërtim. Rasti më flagrant është lagja ‘Fazita’ në zemër të Prishtinës, që nga një zonë ekonomike me ndërtime dhe dendësi super të ulët u kthye brenda natës në zonë ndërtimi të lartë deri në 40 kate, pa u menduar fare për kurrfarë intervenimi shtesë në infrastrukturën e nevojshme publike”.

“Ndikimi i sundimit pesëqindvjeçar osman, ka lënë gjurmë në çdo pore të jetës duke dominuar siluetat e vendbanimeve me kupola dhe minare të panumërta”.

“Vullneti i Perandorit Justinian, që të linte gjurmë prej nga e kishte prejardhjen, përmes shkëlqimit të Ulpianës, ashtu si edhe ndikimi i kishës ortodokse mbi rendin shoqëror mesjetar përmes kishave dhe manastireve”, ka shkruar Sadiku, që ligjëron për arkitekturën në Universitetin për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore