Aplikacione

Arizona, shteti i parë që pranon patentë digjitale shoferi në iPhone


Në Arizona, përdoruesit e telefonave iPhone që kanë patentë shoferi ose mjet tjetër identifikimi mund ta kryejnë verifikimin digjital përmes aplikacionit të Apple-it.

Kjo shënon herën e parë që një shtet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbështetur versionet digjitale të këtij lloji identifikimi në aplikacion.

Por përdorimet mbeten shumë të kufizuara.

Banorët e Arizonës mund të paraqesin patentën e tyre digjitale të shoferit ose mjetin identifikues duke prekur iPhone ose Apple Watch në pikat e kontrollit të Administratës së Sigurisë së Transportit në Aeroportin Ndërkombëtar Phoenix Sky Harbor.

Megjithatë, ata do të kenë nevojë për ID-në e tyre fizike për të shkuar në shtëpi nëse udhëtojnë në një shtet që nuk është në programin e Apple-it.

Për t’u siguruar që ID-ja është zyrtare, përdoruesi do të duhet të bëjë një selfie pas skanimit dhe ngarkimit të një fotografie të patentës së shoferit ose kartës së identitetit.

Gjithashtu do t’i kërkohet të kryejë lëvizjet e fytyrës dhe kokës, të ngjashme me mënyrën se si aktivizohet Face ID.

Pasi të aktivizohet dhe miratohet, përdoruesit mund të prekin iPhone ose Apple Watch te lexuesi i identitetit në pikën e kontrollit të sigurisë dhe agjenti do të shohë informacionin e kërkuar për të udhëtuar.

Po ashtu përdoruesit e iPhone-it do të duhet të tregojnë ID-në e tyre fizike për të hyrë në një bar, për të marrë dokumente të noterizuara ose për të ndaluar në një postbllok.

Kompania ka bërë me dije se po eksploron më shumë mënyra që njerëzit të përdorin verifikimin digjital në të ardhmen.

Vitin e kaluar, Apple-i ka treguar se po punonte me disa shtete për këtë iniciativë.

Fillimisht, ka vënë në dukje se funksioni do të prezantohej atë vit, por ky ishte një proces i ndërlikuar për t’u zbatuar dhe se po punon ngushtë me shtetet për ta bërë të disponueshme sa më shpejt të jetë e mundur.

Tanimë, kompania ofron veçori të tilla si kartat digjitale të kreditit, biletat e filmit, çelësat e makinës dhe kartat e dhuratave.

 

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore