Lajme

Arifi: Problemet e Luginës i zgjidhë vetëm marrëveshja Kosovë-Serbi


Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ka sqaruar se mbështet qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për mospjesëmarrje në nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.

Sipas tij kjo nismë nuk është për një Ballkan të hapur pasi Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës.

“Situata momentale në Luginë të Preshevës është e brishtë si në aspektin politik, ashtu edhe në aspektin ekonomik. Në aspektin politik, ndikon shumë se si janë duke shkuar bisedat në Bruksel mes palës së Kosovës dhe palës së Serbisë”, ka deklaruar Arifi për agjencinë e lajmeve Kosovapress.

“Në aspektin ekonomik, qeveria e Serbisë nuk ka ndonjë vullnet që të zhvillohet ajo pjesë e territorit. Ne shpresojmë dhe besojmë që shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar dhe pastaj shpresoj që situata do të normalizohet”, u shpreh tutje Arifi.

Ndërsa, tregoi ndikimin që pati për qytetarët e Luginës vënia e reciprocitetit në targa me Serbinë.

“Kohët e fundit kemi pasur situata jo dhe aq të lakmueshme në pjesën tonë. Momenti kur ka filluar të implementohet reciprociteti ndaj Serbisë sa i përket targave të veturave”.

Lugina e Preshevës.

Ai shtoi se e kanë mbështetur edhe këtë vendim, duke shpresuar që do të përdoret reciprociteti edhe në lëmi të tjera.

“Shpresoj se do të përdoret ai reciprocitet edhe në lëmi tjera, sidomos në nustrifikimin e diplomave sepse një numër i të rinjve pasi kryejnë fakultetin në universitete të Kosovës, Serbia nuk i pranon”.

Po ashtu, bëri të ditur se aktualisht situata është e qetë.

“Situata për momentin është e qetë në atë drejtim derisa Serbia kontrollon pjesën e veriut. Momentin që e humb këtë privilegj, atëherë Serbia do të përdorë edhe forcën për të shtypur shqiptarët edhe më tutje në Luginë të Preshevës”.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës vazhdimisht kanë ngritur shqetësime lidhur me pasivizimin e adresave të banorëve shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Sipas të dhënave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, janë mbi 3 mijë adresa që janë pasivizuar në Medvegjë dhe mbi 2 mijë në Preshevë e Bujanoc.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi i cili filloi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka për synim që të arrihet marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore