Lajme

Arifi akuzon LVV-në për ndërhyrje flagrante në Luginë të Preshevës


Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka akuzuar pushtetin aktual në Kosovë për ndërhyrje flagrante në Luginë të Preshevës.

Sipas Arifit, Lëvizja Vetëvendosje është duke tentuar që programin e saj politik ta shtrijë edhe në Preshevë.

“Viti 2022 ka qenë edhe një herë më i rëndë për arsyeje të ndërhyrjes flagrante në proceset demokratike në vendin tonë nga Vetëvendosja në Kosovë, që kemi pasur një sfidë me ta, të panevojshme e cila është bazuar më shumë në inate të Albini Kurtit dhe Liburn Aliut se sa në objektivitet të çështjes”.

“Sepse, askush askund nuk ka të drejtë të ndërhyjë në proceset demokratike. Ashtu siç i ka ardhur inati Albinit kur e kanë shkarkuar atëherë, kur Grenelli ka ndërhyrë te ai që t’i bëjë ato punë, ashtu edhe neve normalisht e ka bërë të njëjtën. Por këtu i ka zatet sharra ngushtë”, shprehet Arifi në intervistë për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Qëllime të ngjashme për shtrirjen e programit politikë të tyre, sipas të parit të Preshevës Lëvizja Vetëvendosje ka pasur edhe në Shqipëri.

Lugina e Preshevës. Foto: Krenar Halimi.

“Të njëjtën është munduar ta bëjë edhe në Shqipëri, por edhe në Luginë. Këtu e ka bërë edhe një herë më të rëndë situatën sepse nuk u dashtë në Luginë sepse ne nuk kemi nevojë të na përçajë institucioni, apo ndonjë parti politike në Kosovë”.

“Ne kemi nevojë për unifikim, për mirësjellje dhe respekt, sepse ne jemi ata të cilët ende në Serbi jetojmë dhe të cilët ende diskriminohemi dhe pasivizohemi. E bën edhe një herë më marre për atë që kanë bërë”.

Ai është shprehur i pakënaqur edhe me fondin dy milionësh të ndarë nga Qeveria e Kosovës.

“Është marre çfarë ka ndodhur, ne gjendemi në janar të këtij viti dhe deri në nëntor të vitit të kaluar nuk janë shpërndarë mjetet ashtu siç u janë premtuar qytetarëve tanë. Pra me këto mjete deri në dhjetor janë përdor për të shkuar e për të shëtitur në Amerikë njerëzit që nuk dinë as anglisht e as nuk kanë përkthyer dhe nuk dinë ta elaborojnë çështjen e Luginës së Preshevës”.

“Këto dy milionë euro janë zhvatur dhe janë kthyer në gjepat e Vetëvendosjes nëpërmjet piunëve të tyre në Luginë të Preshevës”.

I pyetur rreth marrëveshjes së Kosovës me Serbinë, ai shprehet pesimist se do të arrihet shpejt një marrëveshje e tillë.

“Ne e kemi një strategji e cila ndërtohet nga programi politik, nga ideja e Albin Kurtit për këtë dialog. Edhe tash po e shohim që po bie në kundërshtim edhe me vetën. Albin Kurtit iu ka thënë që Asociacioni duhet të implementohet. Ia ka bërë të qartë Amerika, ia ka bërë të qartë BE, ia kanë bërë të qartë kur ka qenë të parën herë në qeveri dhe sidomos tani, vitin që lëmë pas”.

Mirëpo, më 23 dhjetor zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ishte lavdëruar me punën që kanë bërë në Luginën e Preshevës.

Pasi sipas tij, për herë të parë Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete për Luginën e Preshevës sa i përket përkrahjes financiare me bursë për studentët.

Ndryshe, pas dy dekadash shqiptarët që jetojnë në pjesë e Luginës së Preshevës kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë.

Bazuar në rezultatet e para, Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare ka më shumë se 100 mijë banorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore