Lajme

Argjentinë, aty ku burgu është më ‘i ëmbël’ se liria


Largimi nga biznesi i drogës është i vështirë për gratë në lagjet e varfra të Argjentinës.

“Për shumë njerëz, droga ka qenë gjithmonë në jetën e tyre që në vegjëli”, thotë 19-vjeçarja Nahir, e burgosur në Buenos Aires.

Nahiri u fut në grackën e drogës në moshën 15-vjeçare. Ajo u bë e varur dhe, duke mos pasur para, filloi të vidhte për të blerë më shumë.

Një ditë, policia e ndoqi në rrugicat e ngushta të një lagjeje, kur shkoi për të blerë drogë.

Ajo u arratis dhe u fsheh në një shtëpi të braktisur. Një javë, konsumoi dyzetë e pesë gramë dhe vodhi 10 mijë pesos.

Mund të përfundonte vetëm në dy mënyra: një qeli burgu, ose një arkivol. Ajo përfundoi në burg.

“Faleminderit Zot!” thotë ajo. “Më kapën. Kam humbur gjënë më të shtrenjtë: lirinë; por unë nuk kam marrë më drogë dhe jam ende gjallë”.

22 mijë gra vuajnë dënimin për shitje dhe transport droge

Sipas Ministrisë së Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut, në Argjentinë, 22 mijë gra vuajnë dënimin për shitje dhe transport droge.

Shumë prej tyre detyrohen të hyjnë në biznesin e drogës, sepse nuk kanë alternativa të tjera për të mbështetur familjet e tyre.

Një rast i tillë është edhe ai i Paolës.

Ajo u largua nga shtëpia e saj, në moshën 13-vjeçare, për t’i shpëtuar abuzimit dhe dhunës.

Për pesë vite me radhë, jetoi rrugëve. Gjatë kësaj kohe, Paola ngeli shtatzënë dhe, më pas, u braktis nga i dashuri i saj.

E mbetur mes katër rrugëve, pa punë dhe ushqim, filloi të shiste drogë.

Me paratë që fitoi në muajt e parë, mundi të merrte një dhomë me qira dhe të jetonte atje me djalin e saj të porsalindur.

Më vonë, Paola filloi të bashkëjetonte me një partner të ri dhe ndërpreu punën e saj. Në pritje të fëmijës së dytë, lidhja e saj përfundoi.

Ajo filloi të punonte si pastruese, por të ardhurat që merrte nuk i mjaftonin.

“Atë që fitova në një muaj me drogë, e fitova në gjashtë muaj duke pastruar shtëpi”, tha Paola gjatë intervistës.

Maria, 20, talks with her cellmate Aldana, 20, who was separated due to an argument with another inmate
Shitja e drogës, mënyrë për mbijetesë

Shitja e drogës është një nga format më të thjeshta se si gratë mund të sigurojnë jetën në Amerikën Latine.

Ato bien “pre” e drogës për shkak të dhunës, mungesës së arsimit dhe varfërisë.

Avokati dhe studiuesi Alejandro Corda, në të drejtën penale për drogën, thotë se ata kanë një strategji të dështuar.

Sipas Zyrës së Washington-it për Çështjet e Amerikës Latine, burgosja e grave për vepra penale të lidhura me drogën në rajon, në dy dekadat e fundit, është rritur në mënyrë dramatike.

Paola tani po vuan një dënim me katër vjet në burgun e “Njësisë 47” në Buenos Aires.

Brenda në burg ajo është një studente shembullore. Përmes telefonit, ndihmon fëmijët e saj me shkollën.

“Ende nuk e di se çfarë do të bëj kur të lirohem, por nuk dëshiroj të kthehem në burg”, përfundoi ajo.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore