Lajme

Kufizime të reja pandemike, argjentinasit rebelohen


Argjentinasit rreth kryeqytetit të Buenos Aires po rebelohen kundër kufizimeve të shtrënguara të pandemisë.

Këto të fundit u rikthyen këtë javë, duke qenë se rastet e përditshme me Covid-19 po kapnin rekorde ngritjeje.

Rastet e përditshme të vendit për frymë janë rritur edhe mbi fqinjin e prekur rëndë, Brazilin.

Masat e reja filluan të premten e 16 prillit. E vendosur për të vazhduar deri në fund të muajit, ka një orë ndalimi që bëhet efektive pas orës 20:00, aktivitetet në ambiente të mbyllura janë të ndaluara dhe shkollat ​​janë mbyllur.

Por, shumë restorante, palestra dhe bare duket se po kundërshtojnë urdhrat e qeverisë.

Në lagjen Buenos Aires të Almagro-s, pronari i lokalit Marcelo tha se nuk kishte ndër mend të respektonte rregulloret e reja që lejojnë vetëm uljen në natyrë.

Ai tha se kishte nevojë për të mbrojtur biznesin që kishte drejtuar për 18 vjet.

“Presidenti bën atë që duhet të bëjë. Unë nuk jam dakord me këto masa”, tha ai.

“Viti i kaluar ishte shumë i vështirë”.

Kur coronavirus-i u shfaq për herë të parë në Amerikën e Jugut vitin e kaluar, Argjentina mbajti një lockdown të rreptë që fillimisht të ndalonte infektimet e reja.

Sakaq, kjo mbyti një ekonomi tashmë të prekur nga recesioni i tre viteve të fundit.

Rastet u rritën, pavarësisht këtyre masave, pasi shumë argjentinas u detyruan të dilnin nga dyert e shtëpive për të siguruar jetesën, ndërsa nivelet e varfërisë u rritën deri në 42% në fund të vitit.

Restorantet e Buenos Aires u bashkuan për të formuar një lëvizje “Karriget përmbys”, duke paraqitur një front të bashkuar.

Grupi tha në një deklaratë të së premtes se nuk do t’u përmbahej dekreteve të lockdown-it, të cilat shënuan, sipas tyre, një “sulm të ri kundër sektorit”.

Kufizimet tashmë kanë shkaktuar një betejë midis qeverisë federale të presidentit të qendrës së majtë, Alberto Fernandez, dhe kryebashkiakut të qytetit të Buenos Aires, i cili kundërshton fuqimisht mbylljen e shkollave dhe ka thënë se ai nuk ishte këshilluar për masat.

Fernandez thotë se vendi duhet të fitojë kohë në betejën kundër virusit, pasi rastet ditore arritën një rekord infektimesh: 27 mijë në fillim të kësaj jave. Vendi i Amerikës së Jugut ka regjistruar mbi 2.6 milionë raste dhe është afër 59 mijë vdekjeve.

“Për mua nuk duhet ta kemi këtë rebelim”, tha Fernandez të premten, duke shtuar se qeveria po hapte subvencione për të ndihmuar pronarët e bizneseve derisa të hiqeshin kufizimet.

“Unë nuk do të toleroj t’i lëmë të bëjnë atë që duan”.

Në një lokal, një punonjëse, Verónica tha se vendi po vazhdonte, tani për tani, me shërbimin brenda.

“Ne kemi vetëm katër tavolina jashtë, kështu që nuk funksionon”, tha ajo.

Prindërit në qytet, të cilët tashmë janë përballur me pothuajse një vit të plotë të mbylljes së shkollave, kanë protestuar gjithashtu kundër mbylljes.

“Ne argjentinasit jemi të indinjuar; jemi të lodhur që ata bëjnë gjithçka që duan me ne”, tha Monica Cura, një nënë që mori pjesë në një protestë të zhurmshme të enjten mbrëma.

“Ky ka arritur një limit. Ne duam që fëmijët të kthehen në shkollë. Shkolla është jeta e tyre dhe jemi shumë të trishtuar… nuk mund ta durojmë më”.

Në një spital në La Plata, jashtë kryeqytetit, shenjat e luftës me rastet në rritje ishin të qarta, megjithatë, duke nënvizuar ekuilibrin kompleks midis mbylljes së ekonomisë së brishtë dhe mbrojtjes së shërbimit shëndetësor.

“Ka pasur një shpërthim të jashtëzakonshëm të rasteve”, tha Sahar Tal Benzecry, 41 vjeç, një mjek i kujdesit intensiv, duke shtuar se spitali ishte afër mbushjes së plotë të shtretërve të tij të njësisë së kujdesit intensiv (ICU). Ai paralajmëronte që njerëzit mund të liheshin në korridore nëse trendi rritës do të vazhdonte.

Përshtatur nga Reuters për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore