Lajme

Argjent Hoti – ndër të rrallët osteopatë në Kosovë


Argjent Hoti - Osteopat

Mes degësh të veçanta e më të rralla të botës së mjekësisë është edhe Osteopatia – një lloj mjekimi alternativ që thekson manipulimin fizik të indeve të muskujve të trupit si dhe kockave.

Osteopatia dhe problemet që kjo fushë trajton.

Në Republikën e Kosovës, Osteopatia, është një fushë të cilën nuk e praktikojnë edhe shumë studiues të shkencave mjekësore.

Madje, ndër të paktit osteopatë që operojnë në Kosovë është Argjent Hoti, nga Mitrovica e Kosovës, i cili për Albanian Post, tregon se si i lindi dëshira për t’i rritur njohuritë rreth kësaj fushe.

“Si profesionist shëndetësor në parimet e mia që nga fillimi i karrierës sime kam pasur për qëllim të jem i gatshëm të jap ndihmën time për të gjithë ata që kanë nevojë. Menjëherë pas fillimit të ushtrimi të profesionit unë kam hasur në pacientë të shumtë por me simptoma të njëjta”.

“Ajo që ishte më delikate është se terapia e njëjtë nuk jepte efekt tek të gjithë njësoj. Prandaj, u futua edhe më thellë në hulumtimin e funksionimit të trupit tonë dhe e gjeta Osteopatinë si shkencën ideale për të arritur principet e mia profesionale”, thotë Argjenti.

Osteopatia – si “shkencë” unike, zhvillim të hovshëm nuk ka pasur në shtetet ballkanike, sidomos në trojet shqipfolëse. Kjo detyroi Argjentin që mësimet t’i ndjek në kuadër të një shkolle private në Shqipëri, të organizuar nga disa mjekë italianë, profesionistë të fushës.

Hoti e sheh si “shumë të nevojshme” krijimin e një institucioni kompetent dhe të licencuar për studimin e kësaj dege mjekësore.

“Pasi që në Kosovë nuk kishte opsione për përfundimin e një studimi të tillë, më është dashur që njohuritë e mija rreth Osteopatisë t’i marr në shtetin fqinj të Shqipërisë. Këtë e bënë të mundur profesorët italianë, Gioavni Boce dhe Emiliano Giampa”.

“Personalisht, krijimin e një institucioni të tillë e shoh si shumë të nevojshëm pasi që kjo do të sillte një mirëqenie më të mirë të popullit, për arsye se vendosja e trupit tonë në balancë të duhur struktural, visceral dhe emocional mundëson funksionimin në mënyrë më të mirë dhe shpenzim minimal të energjisë trupore”, thotë ai.

Osteopatia dhe problemet që kjo fushë trajton.

Gjithsesi, duke qenë se Osteopatia shpesh herë konsiderohet si “mjekësi popullore”, edhe kredibiliteti i krijuar në publik është akoma labil – persona të shumtë nuk besojnë në rezultatet pozitive të trajnimit mjekësor osteopatik.

“Është e vërtetë se njerëzit mbase edhe dyshojnë në suksesin e Osteopatisë, por që unë nuk e shoh si diçka të jashtëzakonshme këtë fakt, pasi që është normale që njerëzit të hezitojnë rreth diçkaje të panjohur për ta, diçka për të cilën ata kanë mungesë informacioni”.

“Por, të gjithë ata që kanë mëdyshje në rezultatet pozitive, ju them t’ia jepni një rast mjekut tuaj osteopat dhe i sigurojë se do të binden në suksesin e kësaj lëmie”, shton Argjenti.

Mes tjerash, osteopati, Argjent Hoti, tregon edhe veçantitë e Osteopatisë.

“E veçanta e Osteopatisë qëndron në faktin se si problem primar e sheh gjetjen e shkaktarit që ka sjellë prishjen e balancit trupor e që pastaj, i njëjti çrregullim ka infulencuar në shkaktimin e problemeve të ndryshme, përfshirë problemet vertebrale (unazat), muskujt, nyjeve, kokë dhimbje e plot të tjera”, thotë ai.

Për Albanian Post, ndërsa rrëfente planet e tij për të ardhmen, Hoti, ka theksuar se primare për të mbetet zhvillimi dhe rritja e nivelit të  tij profesional në kuadër të Osteopatisë, duke vazhduar me studime deri në nivelet më të larta të kësaj dege mjekësore.

Andrew Taylor Still zbuluesi i Osteopatisë.

Ndryshe, teknikat e Osteopatisë bazohen në një ideologji të krijuar nga Andrew Taylor Still, dhe paraqesin ekzistencën e një “vazhdimësie myofascial” – një shtresë indi që “lidh çdo pjesë të trupit me pjesët tjera çaluese”.

Osteopatët përpiqen të diagnostikojnë dhe trajtojnë atë që fillimisht u quajt “lezioni osteopatik”, por që tani quhet “mosfunksionim somatik”, duke manipuluar kockat dhe muskujt e një personi.

Teknikat e Trajtimit Manipulues Osteopatik përdoren më së shpeshti për të trajtuar dhimbjet e shpinës dhe çështje të tjera muskuloskeletale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore