Stil

Arbër Zeka në të njëjtën shkollë me Dua Lipën: E shihja në oborr kur ecte me kufje


Moderatori Arbër Zeka, gjatë një interviste për emisionin e showbizz-it “Pikë”, në “Albanian Post”, i cili transmetohet çdo të mërkurë në platformën YouTube, ora 19:00, ka zbuluar rastësisht një histori të vjetër nga vitet e shkollës, kur në oborr shihte Dua Lipën.

“Ishim pak nxënës asokohe. Unë isha në gjimnaz, Dua në fillore dhe shkonim në të njëjtën shkollë, Kolegji Turk”, rrëfeu fillimisht Arbri.

Në vazhdimësi, pyetur nga moderatorja Adela Osmani, sesi ishte Dua Lipa në fëmijëri kur ende jetonte në Kosovë, ai tregoi disa detaje.

“E mbaj mend Dua Lipën si një vajzë shumë energjike, por edhe shumë modeste. Mbase nuk kishte ëndrra të mëdha, por muzikën e ka dasht dhe ishte gjithmonë me kufje”, tha Arbri.

Më tej, me krenari, ai ka pranuar se në opinionin e tij dhe shumë të tjerëve, këngëtarja Dua është “sinonim i një shqiptari të suksesshëm në botë”.

Gjatë bisedës, gazetari ka theksuar po ashtu se largimi nga vendi nuk duhet të shtyjë askënd të harrojë se nga vjen.

Sipas tij, këngëtarja Rita Ora herë pas here “e anashkalon vendlindjen” dhe nuk tregohet “aq krenare” sa populli i saj pret.

Intervistën e plotë të Arbër Zekës dhe pyetjeve që e vunë në vështirësi e gjeni duke klikuar link-un e mëposhtëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore