Sport

Arabia Saudite dhe Italia – organizatore të Kupës së Botës 2030?


Teksa Kupa e Botës 2022 do të mbahet në Katar, ajo e 2026-s në SHBA – Kanada – Meksikë, ka ardhur radha e Kupës së Botës 2030 për t’u vendosur se ku do të organizohet.

Sipas “Calcio e Finanza”, e mbështetur edhe nga “The Athletic”, hipotezat për një organizim të mundshëm të Kupës së Botës 2030 midis Arabisë Saudie dhe Italisë po bëhen gjithnjë e më të vërteta.

Amerikania “The Athletic” raporton se Arabia Saudite ka kontaktuar me kompaninë “Boston Consulting” për të punuar mbi kandidaturën e saj për organizimin e Botërorit.

Kompania amerikane thuhet se i ka sugjeruar Arabisë bashkëpunimin me një shtet të madh, në mënyrë që të merrej sa më shumë në konsideratë nga FIFA kandidatura e saj.

Hipotezë ishte dhe bashkëpunimi mes Arabisë, Egjiptit dhe Marokut, por për shumë arsye si ato sigurie dhe ekonomike, ajo mbeti në plan të dytë.

Si rezultat sytë e Arabisë u hodhën nga Evropa dhe Italia. Dy vendet kanë bashkëpunim në futboll dhe madje Superkupa e Italisë do të mbahet në Arabi në muajin janar.

Mbretëria Saudie po kërkon të përdorë sportin si një mjet për të reklamuar imazhin e vendit në sytë e gjithë botës dhe këtë po e bën me futboll, Formula 1, boks etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore