Bota

Arabia Saudite/ 3.2 trilionë dollarë për të diversifikuar ekonominë


Princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman (MBS), deklaroi se firma e naftës Aramco dhe firma petrokimike SABIC do të ndërmarrin një fushatë investimesh prej 1.3 trilionë dollarë në sektorin privat, deri në vitin 2030, si pjesë e programit të diversifikimit ekonomik.

Synimi kryesor është mobilizimi i sektorit privat që të largohet nga varësia në eksportet e naftës, të cilat ende përbëjnë më shumë se gjysmën e të ardhurave të shtetit, dhe të zhvillojë sektorë të rinj që krijojnë vende pune për miliona sauditë.

Programi është pjesë e investimeve në vlerë totale prej 3.2 trilionë dollarë të planifikuar deri në vitin 2030.

Pjesë e programit janë gjithashtu 800 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike (PIF) dhe 1.1 trilionë dollarë në bazë të një strategjie të re saudite të investimeve, nga të cilat rreth 533 miliardë dollarë do të jenë investime të huaja.

“Ky program do të ndihmojë sektorin privat të krijojë qindra mijëra vende të reja pune dhe do të rrisë kontributin e sektorit privat në Prodhimin e Brendshëm Bruto me 65% deri në fund të dekadës”, sqaroi princi.

Agjencia mediatike, Al Jazeera, raporton se princi Mohammed tha se qeveria u ka kërkuar firmave më të mëdha pjesëmarrëse të ulin dividentët e tyre për të rritur shpenzimet e kapitalit.

Ministri i Financave, Mohammed al-Jadaan, tha për agjencinë e lajmeve Reuters, se 24 kompani, do të investonin 533 miliardë dollarë deri në vitin 2025 dhe 800 miliardë dollarë të tjera deri në vitin 2030. PIF është aksioner në shumicën e tyre, shtoi ai.

Jadaan tha se shteti do të ofronte mbështetje në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore