Lajme

Arabia Saudite: 20 miliardë dollarë investime në industrinë ushtarake


“Arabia Saudite do të investojë më shumë se 20 miliardë dollarë në industrinë e brendshme ushtarake përgjatë dekadës së ardhshme. Kjo në kuadër të planeve agresive për të rritur shpenzimet ushtarake lokale”.

Lajmi është bërë i ditur më 20 shkurt nga guvernatori i Autoritetetit të Përgjithshëm të Industrisë Ushtarake, Ahmed bin Abdulaziz Al-Ohali.

Ky shtet i Gjirit Persik, synon të zhvillojë dhe të prodhojë më shumë armë dhe sisteme ushtarake brenda vendit. Për këtë, ka në plan të shpenzojë 50% të buxhetit ushtarak në nivel lokal deri në vitin 2030.

“Qeveria ka prezantuar një plan që tregon se do të investojnë më shumë se 10 miliardë dollarë në industrinë ushtarake në Arabinë Saudite gjatë dekadës së ardhshme dhe një shumë të njëjtë në hulumtime dhe zhvillim”, ka thënë guvernatori i Autoritetetit të Përgjithshëm të Industrisë Ushtarake, Ahmed bin Abdulaziz Al-Ohali, në një konferencë për mediat në Abu Dhabi.

Ai gjithashtu tha se mbretëria po planifikon të rrisë shpenzimet nga 0.2 në rreth 4% për shpenzimet në armatim deri në vitin 2030-tën.

Arabia Saudite ka 251 mijë e 500 pjesëtarë aktivë në ushtri, ndërsa viteve të fundit është në mesin e shteteve që ka shpenzuar më së shumti në këtë sektor. Sipas të dhënave të vitit 2018, Arabia Saudite ishte shteti i tretë në botë për shpenzimet më të shumta në ushtri në raport me prodhimin e brendshëm bruto.

Kjo lëvizje e sauditëve, vjen pas ndërprerjes së furnizimit me municione që SHBA-ja i bëri mbretërisë, disa ditë më parë. Çështja e Yemen-it dhe katastrofës humanitare të shkaktuar aty gjatë viteve të fundit, e shtyu presidentin Joe Biden të merrte një vendim të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore