Pajisje

Apple-i u kërkon punonjësve të paraqesin prova për dozën përforcuese të COVID-19


Kompania teknologjike Apple kërkon që punonjësit e dyqaneve dhe korporatave të marrin një dozë përforcuese për COVID-19.

Këtë kërkesë, kompania e ka bërë të ditur përmes një email-i të brendshëm, të parë nga faqja “The Verge” e të rejave të teknologjisë.

Kur punonjësi të ketë të drejtën të marrë një dozë përforcuese, ai do të ketë katër javë afat për t’u pajtuar, përndryshe, do t’i duhet të bëjë teste të shpeshta për të hyrë në një dyqan me pakicë, dyqan partneri ose zyrë Apple.

Dhe kjo masë pritet të aplikohet nga data 15 shkurt.

Gjithashtu Apple-i do t’u kërkojë punonjësve të pavaksinuar ose atyre që nuk kanë dorëzuar ende prova të vaksinimit, të ofrojnë teste negative të shpejta përpara se të hyjnë në vendin e punës, duke filluar nga 24 janari.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse masa vlen si për punonjësit e korporatave, ashtu edhe për punonjësit e shitjes me pakicë.

“Për shkak të zbehjes së efikasitetit të serisë primare të vaksinave kundër COVID-19 dhe shfaqjes së varianteve shumë të transmetueshme si Omicron, injeksioni përforcues është pjesë e të qëndruarit të përditësuar me vaksinimin për t’u mbrojtur kundër sëmundjeve të rënda”, ka theksuar Apple-i.

Vitin e kaluar, kompania kërkoi që punonjësit e pavaksinuar të korporatës të bënin teste ditore përpara se të hynin në zyrë, me punonjësit e pavaksinuar të shitjes me pakicë që testoheshin dy herë në javë.

Nga ana tjetër, kompania filloi t’u kërkonte individëve të vaksinuar që të bënin teste për COVID-19 një herë në javë dhe më vonë uli frekuencën e këtyre testeve.

“The Verge” dallon se politika e testimit “të rrallë” të Apple-it nuk zbatohet më për punonjësit që nuk e marrin përforcuesin brenda afatit të fundit të vendosur nga kompania.

Meta, në fillim të kësaj jave, ka thënë se punonjësit do të duhet të marrin një përforcues COVID-19 përpara kthimit të kompanisë në punën në zyrë në muajin mars.

Kurse Google-i nuk ka mandatuar ende injeksione përforcuese në të gjithë kompaninë. Ai kërkon që punonjësit të kenë dy dozat e para të një vaksine COVID-19, si dhe të bëjnë teste molekulare javore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore