Pajisje

Apple-i në Romë vjen krah historisë


Studioja arkitekturore, Foster + Partners, ka restauruar Palazzo Marignoli në Romë duke e shndërruar në një dyqan Apple-i që zbulon njëkohësisht edhe tiparet historike.

Dezeen, faqe kushtuar arkitekturës, tregon se dyqani i quajtur Apple Via del Corso rezulton të jetë dyqani më i madh i Apple-it në Evropë dhe “pushton” historiken Palazzo Marginoli-n në qendër të Romës.

Ndërtesa e dyqanit është e vendosur në një vend ku ka qenë në shekullin e XVl një kishë dhe një manastir.

Ajo aktuale u ndërtua midis viteve 1873 dhe 1878 e shërbeu si një shtëpi për Marquis Filippo Marignoli. Gjithashtu ka strehuar edhe Caffe Aragno, një vend i njohur tubimi për artistët.

Përmes përzgjedhjes së tyre, Foster + Partners, dëshironin të festonin historinë e saj duke theksuar madhështinë dhe duke rikthyer tiparet e saj historike.

“Ideja ishte për të festuar aspekte të ndryshme dhe fusha të ndryshme të historisë së ndërtesës”, është shprehur partneri i studios, Luis Matania.

Ai ka vazhduar se tanimë ka një “krahasim të të gjitha këtyre fushave të ndryshme në historinë e ndërtesës deri më tani në shekullin e XXl”.

Plani i ndërtesës në formë L-je, ka mundësuar një organizim rreth një oborri të madh që studioja e ka hapur për t’u përdorur nga publiku dhe për të përshëndetur vizitorët gjatë hyrjes në ndërtesë.

“Oborri nuk është më privat, ai bëhet një hapësirë demokratike në të cilën komuniteti është i ftuar të hyjë dhe ta shijojë”, ka thënë partneri i studios, Stefan Behling.

Ai ka shtuar se “rivendosëm pemët si një referencë për manastirin e vjetër dhe kjo i lejon komunitetit të vijë dhe të shijojë këtë hapësirë të bukur”.

Ndërkohë, veprat e artit të artistit italian, Afro Basaldella, të cilat kanë përshkruar në mënyrë abstrakte imazhe dhe skena të Italisë, janë restauruar me kujdes dhe janë vendosur nëpër mure.

Gjithashtu janë restauruar edhe pikturat e mëdha të tavanit të fillim viteve 1900 nga Fabio Cipolla dhe Ettore Ballerini, të cilat janë inkorporuar sipër mermerit të brendshëm midis veshjeve të tavanit.

“Ka qenë një ndërtesë e komplikuar dhe ne kemi zbuluar gjëra gjatë rrugës…ka qenë një proces dizajnimi në zhvillim që është ndryshuar dhe përshtatur teksa kemi gjetur gjëra të reja, piktura të reja dhe aspekte të reja të arkitekturës”, ka thënë Matania.

Në të gjithë brendësinë e Apple Via del Corso është përdorur mermeri i bardhë duke mbuluar dyshemetë e secilës dhomë dhe duke inkuadruar dritare të mëdha që sigurojnë paraqitje të vogla të dhomave ngjitur.

Është restauruar edhe shkalla madhështore në perëndim të oborrit, e cila ka mbulesa të gjera.

Brenda kafazit të madh të shkallëve, studioja ka rikrijuar dritën e ditës nëpërmjet shtimit të ndriçimit LED në qendër të kupolës, e cila ndryshon gjatë ditës.

Për sa i përket katit të parë, aty ndodhet një korridor i gjatë që lidh një hapësirë forumi me Genius Bar-in dhe tre zona shitjeje.

Hapësira e forumit do të shfrytëzohet për ngjarjet e komunitetit duke zënë atë që dikur ishte salla e Palazzo-s, një pikë qendrore e katit të parë.

Ndërsa në Genius Bar është kryer restaurimi i tavanit të modeluar në forma gjeometrike dhe të pikturuar me dorë me mbulesa dekorative.

Kudo janë vendosur mobilje prej druri për të sjellë ngrohtësi në hapësirat e brendshme.

Përgjatë korridoreve dhe skajit të dhomave, dyert dhe dritaret me kornizë të errët druri hapen në ballkonet Juliette.

Aty gjendet edhe tarraca me pamje nga oborri që është poshtë. Në tarracë janë vendosur pemë dhe hardhi jasemine për të pasqyruar tarracat tipike romake të mbushura me bimë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore