Pajisje

Apple-i, në nxitim për të bllokuar spiunazhin ndaj iPhone-it të tij


Kompania amerikane e teknologjisë, Apple, ka nxjerrë një arnim të software-it për të bllokuar të ashtuquajturin spyware “me zero klikim” që mund të infektojë pajisjet iPhone dhe iPad.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se studiuesit e pavarur kanë identifikuar të metën, e cila lejon hacker-at të hyjnë në pajisjet e kompanisë përmes shërbimit iMessage edhe nëse përdoruesit nuk klikojnë në një lidhje ose skedar.

Dhe referuar studiuesve, problemi prek të gjitha sistemet operative të gjigantit teknologjik.

Nga ana tjetër, Apple-i ka njoftuar se ka nxjerrë ​​azhurnimin e sigurisë në përgjigje të një skedari PDF “të krijuar me keqdashje”.

Citizen Lab i Universitetit të Torontos, i cili e nxori në pah problemin, kishte zbuluar edhe më parë prova të spyware-it me klikim zero, por “ky është i pari ku shfrytëzimi është kapur, kështu që ne mund të zbulojmë se si funksionon”, ka treguar studiuesi Bill Marczak.

Studiuesit kanë sqaruar se më parë, dobësia e panjohur preku të gjitha pajisjet kryesore të Apple-it, përfshirë iPhone-in, Mac-un dhe Apple Watch.

Citizen Lab ka thënë gjithashtu se çështja e sigurisë u shfrytëzua për të siguruar spiunë në iPhone-in e një aktivisti saudit, duke shtuar se kishte besim të lartë se firma izraelite e hacker-ave me qira, NSO Group, qëndron pas sulmit.

NSO-ja, në një deklaratë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, as nuk e konfirmoi dhe as nuk e mohoi se ishte prapa spyware-it, duke thënë vetëm se “do të vazhdojë t’u sigurojë agjencive të inteligjencës dhe zbatimit të ligjit në të gjithë botën, teknologji shpëtuese për të luftuar terrorin dhe krimin”.

Edhe pse zbulimi është domethënës, ekspertët e sigurisë janë të mendimit se shumica e përdoruesve të pajisjeve Apple nuk duhet të shqetësohen shumë pasi sulme të tilla zakonisht janë me shënjestër të lartë.

Në një postim në blog, Apple ka thënë se pasi u vendos në dijeni se defekti “mund të jetë shfrytëzuar në mënyrë aktive”, lëshoi arna të software-it iOS 14.8 dhe iPadOS 14.8.

Ky njoftim i kompanisë erdhi teksa gjiganti i teknologjisë po përgatitej për të zbuluar pajisje të reja në ngjarjen e tij vjetore të prezantimit.

Kompania pritet të zbulojë iPhone të rinj dhe përditësime për AirPods dhe Apple Watch.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore