Pajisje

Apple-i, me dyfishim të fitimeve


Kompania amerikane e teknologjisë, Apple, ka raportuar dyfishim të fitimeve që prej fillimit të pandemisë e shkaktuar kryesisht nga një rritje e shitjeve të iPhone-it në Kinë.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se shefi i kompanisë ka thënë se rezultatet pasqyrojnë “optimizim” në lidhje me ditët në vazhdim.

Në vazhdën e kërkesës në rritje të konsumatorëve, të cilët prej bllokimeve e kishin të nevojshme ndihmesën e teknologjisë, Apple-i ka pasur rritje të shitjeve të telefonave, aplikacioneve dhe pajisjeve të tjera që shërbenin për kryerjen e punëve dhe ofrimin e argëtimit.

Gjatë kësaj periudhe, klientët nuk harruan të azhurnohen me telefonat e rinj 5G të Apple-it, kompjuterët Mac dhe iPad-ët që ndihmojnë në lehtësimin e studimit nga shtëpia.

Kompania ka veçuar, ndër të tjera, edhe një rritje të aplikacioneve të fitnesit dhe muzikës.

Për tre muajt e parë të vitit, dyfishimi i shitjeve në Kinë i çoi të ardhurat e përgjithshme të kompanisë në 89.6 miliardë dollarë. Shumë, e cila krahasuar me një vit më parë, është afro 50 për qind më shumë.

Llogaritet që fitimet të jenë 23.6 miliardë dollarë krahasuar me 11.3 miliardë dollarë për të njëjtën periudhë kohe të një viti më parë.

“Ky tremujor reflekton si mënyrat e qëndrueshme që produktet tona kanë ndihmuar përdoruesit tanë të përmbushin këtë moment në jetën e tyre, ashtu edhe optimizim që konsumatorët duket se ndiejnë për ditë më të mira përpara për të gjithë ne”, është shprehur shefi ekzekutiv, Tim Cook.

Ndërkohë edhe rivalët e Apple-it kanë raportuar fitime të shtuara për shkak të kërkesës në rritje gjatë periudhës pandemike. Një prej tyre ka qenë edhe kompania teknologjike, Facebook.

Ndryshe nga Apple-i, që është i fokusuar te pajisjet teknologjike, Facebook-u i arriti fitimet e shtuara në tremujorin e parë të vitit prej shitjeve të reklamave.

BBC tregon se koha e shpenzuar në shtëpi dhe fuqia shpenzuese e konsumatorëve u zhvendos në internet, duke u përkthyer në të ardhura shtesë, të cilat tejkaluan edhe parashikimet e analistëve.

Madje, Facebook-u ka thënë se pret që të ardhurat të jenë të qëndrueshme në vazhdimësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore