Aplikacione

Apple-i aprovon rikthimin e Parler-it


Kompania amerikane e teknologjisë, Apple, ka njoftuar Kongresin përmes një letre se ka aprovuar kthimin e Parler-it në dyqanin e saj të aplikacioneve pas përmirësimeve që platforma ka arritur për të moderuar gjuhën e urrejtjes.

Agjencia e lajmeve, CNN, tregon se vendimi i marrë nga Apple-i i hap rrugë platformës Parler, e cila njihet si aplikacioni i konservatorëve, të shkarkohet edhe një herë në pajisjet Apple.

Në letrën e dërguar nga kompania shpjegohet se që prej momentit që Parler-i u hoq nga dyqani i aplikacioneve për shkelje të politikave të saj, platforma ka “propozuar azhurnime të aplikacionit të saj dhe moderimit të përmbajtjes”.

Madje ekipi i shqyrtimit të aplikacioneve në Apple ka arsyetuar se ndryshimet e propozuara nga Parler-i kanë qenë të mjaftueshme.

“Apple parashikon që aplikacioni i azhurnuar Parler do të bëhet menjëherë i disponueshëm pasi Parler-i ta lëshojë”, shkruhet në letër sipas CNN.

Parler-i u hoq nga platformat kryesore të teknologjisë në fillim të muajit janar, i cili korrespondon me trazirat e datës gjashtë në Capitol të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.,

Ngjashëm si Apple-i, edhe Google-i me Amazon-in, përmendën praninë e gjuhës së urrejtjes në aplikacion si arsye për ta larguar Parler-in nga platformat e tyre.

Edhe vetë platforma bëri me dije pak kohë më vonë se edhe kompani të tjera do të ndërmerrnin hapa për largimin e Parler-it nga platformat e tyre.

Kjo çoi në ballafaqimin e përdoruesve të Parler-it me një faqe statike të saj nga e cila nuk mund të kryhej asnjë lloj veprimi duke e kthyer atë në të paarritshme në internet.

U deshën afro dy muaj që Apple-i të jepte aprovimin e tij për të kthyer Parler-in në dyqanin e saj të aplikacioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore