Pajisje

Apple heq aplikacionin e Kuranit në Kinë


Apple ka hequr një nga aplikacionet më të njohura të Kuranit në botë në Kinë. Kjo pas një kërkese të zyrtarëve pas arsyetimit se ka shfaqur problematika me dokumenatcionin.

Kurani Majeed është i disponueshëm në të gjithë botën në App Store, përdoret nga miliona myslymanë dhe përmban gati 150 mijë komente.

Fshirja e aplikacionit u konstatua për herë të parë nga Apple Censorship, një faqe në internet që monitoron aplikacionet në App Store të Apple në nivel global.

Në një deklaratë nga krijuesi i aplikacionit, kompania PDMS tha se, “sipas Apple, aplikacioni Quran Majeed është hequr nga dyqani i aplikacioneve në Kinë sepse përfshin përmbajtje që kërkon dokumentacion shtesë nga autoritetet kineze”.

“Ne po përpiqemi të kontaktojmë me Administratën e Hapësirës Kibernetike të Kinës dhe autoritetet përkatëse kineze për të zgjidhur çështjen”, deklaroi kompania.

Aplikacioni numëronte në Kinë rreth një milion përdorues.

Shtypja e komunitetit mysliman ujgur

Partia Komuniste Kineze e njeh zyrtarisht në vend Islamin si fe, megjithatë ajo është akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut, madje edhe gjenocid, kundër grupit etnik kryesisht mysliman ujgur në Xinjiang.

Në fillim të këtij viti agjencia mediatike “BBC” raportoi se, hoxhallarët ujgur në Xinjiang ishin shënjestruar nga qeveria kineze.

Po ashtu e përditshmja amerikane “New York Times” raportoi se, “Apple heq aplikacionet në Kinë të cilat nuk lidhen me qeverinë kineze”.

Temat që aplikacionet nuk mund të diskutojnë përfshijnë Sheshin Tiananmen, lëvizjen shpirtërore kineze Falun Gong, Dalai Lama dhe pavarësinë për Tibetin dhe Tajvanin.

Një tjetër aplikacion fetar popullor, aplikacioni Biblik i Olive Tree, u hoq gjithashtu këtë javë.

Të enjten, Microsoft njoftoi se po mbyllte rrjetin e saj social, LinkedIn, në Kinë.

“Po bëhet gjithnjë e më sfiduese përputhja me shtetin kinez”, deklaroi kompania.

Vendimi u mor pasi faqja e rrjetit të karrierës u përball me pyetje për bllokimin e profileve të disa gazetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore