Lajme

Aplikimi i Kosovës në KE, DASH: Kosova dhe Serbia janë vende sovrane, i përcaktojnë vetë prioritetet e tyre të politikës së jashtme


Ilustrim

Kosova dhe Serbia, sipas Departamentit të Shtetit Amerikan, janë vende sovrane që kanë të drejtë të vendosin prioritete e tyre të politikës së jashtme.

Reagimi i DASH-it është si rrjedhojë e deklaratës së fundit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili ka pretenduar se Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Washingtonit, pasi ky i fundit të enjten e 12 majit ka dorëzuar aplikimin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

“Moratoriumi ishte krijuar për të zgjeruar hapësirën për bisedë dhe kompromis midis Kosovës dhe Serbisë, që ne besojmë se është në interesin strategjik të të dy vendeve”, vazhdon përgjigjja e DASH-it për Zërin e Amerikës.

DASH-i më tej në përgjigjen e tij nënvizon faktin se ata vazhdojnë të besojnë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, nën kujdesin e Bashkimit Evropian, është vendimtar për të dy vendet për të zhbllokuar të ardhmen e tyre evropiane.

“Ne bëjmë thirrje për pjesëmarrjen e tyre urgjente, fleksibël dhe serioze në këtë proces”.

Ndryshe, këtë të enjte të 12 majit, Kosova zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këtë e ka bërë të ditur, shefi i kabinetit të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Sharr Jakupi, përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, ku ndër të tjera ka njoftuar se Gërvalla personalisht ka dorëzuar aplikimin në këtë organizatë, pas takimit që ajo ka realizuar me zyrtarët e Këshillit të Evropës.

“Ministrja dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, sapo ka përfunduar takimin e saj në Këshill të Evropës ku ajo e ka dorëzuar personalisht aplikimin. Konfirmoj se zyrtarisht Kosova ka aplikuar për anëtarësim të plotë në Këshill të Evropës”, ka shkruar Jakupi.

Po ashtu Drejtori i Komunikimeve për Ballkanin Perëndimor në KE, Dushan Vojnoviç, ka konfirmuar për Albanian Post se aplikimi i qeverisë së Kosovës, përmes kryediplomates Donika Gërvalla, është marrë.

“Mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është marrë”, shkruante ai për Albanian Post.

Me marrëveshjen e nënshkruar në shtator 2020, Serbia dhe Kosova u angazhuan në dokumente të veçanta për bashkëpunim ekonomik, por edhe bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara. Pjesë e marrëveshjes ishte një moratorium një vjeçar ndaj Kosovës që të mos aplikonte për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe Serbisë që të përmbahej nga një fushatë diplomatike për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Moratoriumi skadoi më 4 shtator 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore