Shqipëria

Apeli lë në burg prokurorin e Kukësit, Edmond Kariqin


Gjykata e Posaçme e Apelit, të hënën e 19 korrikut, ka lënë në fuqi masën arrest me burg për prokurorin e Kukësit, Edmond Kariqi.

Kariqi, së bashku me shoferin Isuf Gegën, u arrestuan të mërkurën e 30 qershorit pas një operacioni policor në qytetin e Kavajës.

Ish-prokurori kishte apeluar masën që vendosi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të shtunën e 3 korrikut. Duke kërkuar nga Apeli ndryshim të masës.

GJKKO vendosi masën “arrest me burg” për Kariqin dhe shoferin e tij.

Sipas njoftimit zyrtar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), Kariqi është arrestuar nën akuzën e “Korrupsionit aktiv të kryer në bashkëpunim” si edhe të “Korrupsionit pasiv”.

Nga provat e mbledhura në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Policisë së Shtetit, janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat është ngritur ndryshimi mbi arrestin.

Akuzat mbi ta janë dyshimet mbi veprën penale “Korrupsion aktiv në bashkëpunim”.

Hetimet paraprake për këtë procedim janë në hetim e sipër dhe ende pa përfunduar.

Më 26 mars 2021, Kariqi u komandua përkohësisht në krye të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës. Kjo, erdhi pas shkarkimit të prokurores Rita Gjati nga procesi i vetting-ut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore