Lajme

Apeli ua zvogëlon dënimet Gucatit dhe Haradinajt për tre muaj


Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ua ka zvogëluar dënimet për nga tre muaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.

Gucatit dhe Haradinajt iu shqiptua dënim me nga 4 vjet e 3 muaj burgim për secilin veç e veç.

Por, kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard, tha se mbetet në fuqi dënimi shtesë për Gucatin dhe Haradinajn me një gjobë prej 100 eurosh.

“Ky aktgjykim duhet të zbatohet me efekt të menjëhershëm”, tha ajo.

Sipas saj, Gucati dhe Haradinaj do të mbeten në paraburgim deri në finalizimin e masave për transferimin e të tyre në shtetin ku do të vuajnë dënimin.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në Prishtinë më 25 dhe 26 shtator 2020. Ata u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë pasi kishin rrjedhur disa dokumente konfidenciale nga Gjykata Speciale.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nicolas Guillou, më 11 dhjetor 2020, konfirmoi aktakuzën kundër dy të akuzuarve ndërsa aktakuza u bë publike më 14 dhjetor të të njëjtit vit.

Më 16 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II ndërsa gjykimi filloi më 7 tetor 2021.

ZPS-ja më 10 nëntor 2021, përfundoi paraqitjen e provave të saj. Të dy ekipet e Mbrojtjes përfunduan paraqitjen e provave të tyre më 2 shkurt 2022.

Trupi Gjykues më 18 maj 2022, i shpalli fajtorë dy të akuzuarit për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për frikësim të dëshmitarëve.

Gucati dhe Haradinaj dorëzuan njoftime për apel më 17 qershor 2022. Më 5 korrik 2022 u mbajt konferenca para apelit. Seancat e apelit u mbajtën më 1 dhe 2 dhjetor 2022.

Haradinaj ishte i pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit ndërkaq Gucati ishte paraqitur në këtë seancë përmes video-lidhjes, pasi i njëjti ishte nënshtruar një operacioni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore