Shqipëria

Apeli i GJKKO-së regjistron rekursin e ish-ministrit Saimir Tahiri


Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar rekursin e ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri.

Tahiri ka kërkuar pezullimin e dënimit me burg. Kjo Gjykatë e dënoi ish-ministrin me tre vite e katër muaj burg, për veprën penale “Shpërdorim Detyre”.

Fillimisht, Tahiri u dënua me pesë vite burgim, por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, do të vuajë tre vite e katër muaj burg.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte kërkuar 12 vite burg për Tahirin për veprat penale “Shpërdorim Detyre” dhe “Trafik Droge”. Pikërisht për këtë të fundit SPAK bëri rekurs kundër vendimit të Apelit të GJKKO-së.

SPAK kërkon që Tahiri të dënohet edhe për trafik droge.

Ndërkohë edhe ish-kreu i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, më 21 prill ka depozituar rekursin në Apelin e GJKKO-së për të kundërshtuar vendimin ku ai shpallet fajtor për veprën penale “Shpërdorim Detyre”.

Çështja “Tahiri”

Çështja “Tahiri” u regjistrua në GJKKO më 26 nëntor 2021. Më parë ishte në ngarkim të Gjykatës së Lartë.

Kjo e fundit zbardhi vendimin për çështjen e ish-ministrit, ku u argumentua se ka pasur shkelje proceduriale gjatë gjykimit të tij dhe ish-drejtorit Jaeld Çela.

Gjykata vendosi prishjen e vendimit të datës 26 qershor 2020 të Apelit të GJKKO-së dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me një tjetër trup gjykues.

Apeli i Posaçëm, në vendimin e saj, asokohe tha se janë shkelur dispozitat për paraqitjen e akuzave të reja, e lidhur kjo edhe me mosrespektimin e dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori.

Gjithashtu u vendos rrëzimi i kërkesës së të gjykuarit Jaeld Çela për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.

Sipas trupës gjykuese, gjyqtarja Albana Boksi ishte në konflikt interesi, pasi ka shqyrtuar çështjen e Taulant Haxhiraj në një procedim të lidhur, duke nënkuptuar kështu se trupa gjykuese kishte në përbërje gjyqtarë që nuk mund të merrnin pjesë në gjykim.

Saimir Tahiri dhe ish-kreu i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, u shpallën fajtorë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”.

Ish-ministri u dënua me tri vite shërbim prove, ndërsa Jaeld Cela me tre vite e katër muaj burg.

Në nëntor të vitit 2017, Prokuroria e akuzoi Çelën se, në bashkëpunim me Tahirin, ndihmonin bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.

Çela u vetëdorëzua në polici në maj të vitit 2020 – pas dy viteve në arrati. Ndërsa akuzohej për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Trafikim i bimëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Gjykata e Krimeve të Rënda rëndoi ndaj Çelës vetëm akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe e dënoi atë me 3.4 vite burgim.

Nga ana tjetër, ish-ministri u dënua vetëm me tre vite shërbim prove nën akuzën e rikualifikuar të “shpërdorimit të detyrës”.

Ndonëse i shpëtoi qelisë, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi ta dërgonte për tri akuza të tjera të rënda, për Tahirin u vendos gjithashtu që, për të paktën disa vite, të qëndronte jashtë jetës politike.

Ky vendim i Prokurorisë u apelua nga Tahiri, i cili e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore