Zgjedhjet në Kosovë

Anulohen votat e partive boshnjake dhe rome në komunat me shumicë serbe në Kosovë


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar në tërësi votat në zgjedhjet e 14 shkurtit, për subjektet politike boshnjake në komunat të banuara me shumicë serbe: Zubin Potok, Shtërpcë, Ranillug, Graçanicë, Partesh, Kllokot, Novobërd, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq.

Përfaqësuesit politikë të komunitetit boshnjak, rom, ashkali dhe egjiptas pretendojnë se partia boshnjake“Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq” dhe partia rome “Iniciativa Rome” kanë siguruar vota në zgjedhjet e 14 shkurtit, me ndihmën e Listës Serbe. Ata thonë se këto dy parti në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë marrë vota në vendbanime ku nuk jetojnë këto komunitete.

PZAP-ja ka miratuar pjesërisht apelet nga subjektet politike boshnjake Iniciativa Jonë (Nasha Iniciativa), Unioni Socialdemokrat (SDU) dhe Partia e Re Demokratike (NDS), të cilat kërkuan që të anulohen votat e ardhura nga komuniteti serb për partinë Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq.

Me këtë vendim, PZAP-ja ka anuluar 4,205 vota të cilat i kishte siguruar subjekti politik boshnjak, i udhëhequr nga Adrijana Hoxhiq, në komunat e banuara me shumicë serbe.

Hoxhiq, sipas rezultatit përfundimtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kishte fituar 6,422 vota apo një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Pas zgjedhejeve të 14 shkurtit, ka pasur dyshime se boshnjakja Hoxhiq është përkrahur nga Listës Serbe, të cilën po e heton Prokuroria Speciale për votat e marra në vendbanimet ku nuk ka asnjë boshnjak, ka arritur të bëhet deputete e Kuvendit të Kosovës.

Lista Serbe kontrollohet nga Beogradi. 

Unioni Socialdemorkat i Duda Baljes, me këtë vendim të PZAP-së ka mbetur pa 165 vota si dhe Iniciativa Jonë ka humbur 9 vota, kurse Partia e Re Demokratike, 14 vota. Ndërkaq, koalicionit Vakat, i janë anuluar 583 vota, të cilat i ka fituar në këto komuna.

Balje, e cila në disa legjislatura kishte përfaqësuar komunitetin boshnjak, kishte akuzuar Hoxhiq është bërë deputete me vota serbe, dhe jo me vota boshnjake, komunitetit që i takon.

“Urdhërohet KQZ-ja që votat e përfshira në fletëvotimet e anuluara t’i largojë nga rezultati përfundimtar”, thuhet në vendimin e PZAP.

PZAP ka vendosur të anulojë mbi 800 vota për Iniciativën Rome, të cilat i kishte siguruar në komunat me shumicë serbe.

Edhe subjekti politik i formuar pak para zgjedhjeve “Romani Iniciyativa”, që dyshohet se u ndihmua nga Lista Serbe, ka arritur t’i ketë dy deputetë.

Iniciativa Rome ka siguruar 4,049 vota ose dy deutetë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti boshnjak i ka të garantuara tri ulëse në Kuvendin e Kosovës. Komuniteti turk ka të garantuara dy ulëse, ndërkaq për përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas janë të garantuara nga një ulëse si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto komunitete, që fiton më së shumti vota. Një ulëse të garantuar i takon edhe komunitetit goran.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka njoftuar se brenda afatit ligjor prej 72 orëve ka vendosur lidhur me 210 apelet e paraqitura nga kandidatët për deputetë të subjekteve politike, kundër vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Paneli ka pranuar pjesërisht të bazuara 5 apele, të bazuara 16 apele, pjesërisht të bazuara 9 apele, ka refuzuar të pabazuara 177 apele, ka hedhur të parregullta 2 apele dhe ka hedhur të pasafatshme 1 apel.

Palët e pakënaqura me vendimet e PZAP kanë afat 24 orë që t’i drejtohen Gjykatës Supreme.

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore