Film

Anulimi i sezonit të fundit të ‘Westworld’ – Kur intelekti dhe buxhetimi janë të papërputhshëm


Një vendim drastik nga gjigandi amerikan i transmetimeve televizive me pagesë, HBO, pjesë e rrjetit Warner Bros., ka çuar në anulimin e sezonit të fundit të serialit hit në SHBA, Westworld.

Ky i fundit, nuk ka qenë thjesht një prej më të ndjekurve, që prej gjenezës në vitin 2016, kur sezoni i tij i parë la të shtangur gjithë audiencën.

Por, edhe një prej serialeve televizive intelektualisht më sfidues, i cili vë shikuesin në dilemën e pamendueshme të një bote të konfliktuar mes ndërgjegjes humane dhe asaj të alternuar kibernetike, të cilat me ndërthurjen e tyre, formojnë një credo të jetesës simultane…në një simulim.

Është pikërisht ai lloj seriali, i cili në vetvete, as buxhetin, e aq më pak audiencën, nuk duhet ta kishte në nivele shumë të larta.

Por, me problemet e kuptueshmërisë në masë sezonet e fundit dhe me një buxhet gjithnjë e më shumë në rritje për të përmbushur vizionin e dy krijuesve të narrativës, regjisorëve bashkëshortë Lisa Joy dhe Jonathan Nolan, rikthimin në parkun e famshëm të ‘Far West”-it, dashamirësit e spektaklit nuk do të mund ta shohin.

Konglomerati është i tillë, që vë piketat prioritare tek aspektet buxhetore.

Është një problem që e kanë të gjitha platformat e transmetimit, të cilat krijojnë përmbajtje origjinale, me shpenzime kolosale për një episod të vetëm 60-minutësh.

Me bashkimin nga ana tjetër të HBO me platformën partnere, Discovery, u mendua se do të kishte zgjerim të spektakleve e jo tkurrje.

Por, kështu nuk ndodhi dhe Westworld, nuk është i vetmi që bie në ulluqet filtruese të daljes nga ekranet e vegjël.

Por, është i vetmi, i cili me katër sezone të realizuar dhe me një sezon të pestë (përmbyllës) në horizont, në vend që të përplotësojë nevojat e shikuesve për përgjigje, shtron dhe shton pyetje të reja…jo veç për Westworld.

Fjala bie, një plan kursimi prej 3.5 miliardë dollarësh është prezantuar pas bashkimit të kompanive, duke krijuar sinergjinë e re në grupin e madh Warner Bros., i cili ka paralelisht probleme edhe me vizionin për ekranin e madh, me instalimet e fundit të botës së DC Comics dhe filmave të tjerë, të cilët sa për pandeminë, sa për përmbajtjen, nuk kanë performuar ku duhet.

Kështu, është dakordësuar që, filmat e shfaqur në kinema, me buxhete shpesh edhe përtej 200 milionë dollarëve, vetëm për filmin dhe pa llogaritur marketingun, të shkojnë jo në kazanin e ekranit të madh, por në koshin e atij të vogël.

Me një fashë të re 45-ditore për shfaqjen e filmave ekskluzivisht në kinema, shikuesit nuk e kanë më problem të presin një muaj e gjysmë, për të kursyer biletën dhe kokoshkat në teatrot e mëdha, duke qenë se abonimet mujore, gjithsesi, i paguajnë.

Çfarë bën kjo?

Rezulton në anulimin e spektakleve të tjera, të cilat ekskluzivitetin, e kanë veçse në ekranin e vogël.

Instalimi i fundit i sagës së Game of Thrones, House of the Dragon, shpëton në këtë rast, pasi ka një audiencë aq të gjerë, sa nuk ka nevojë as të vihet në diskutim realizimi dhe vijimësia e tij.

Madje, dy shfaqje të tjera minimalisht, të drejtuar për nga bota e Game of Thrones, janë në zhvillim aktualisht në zyrat e HBO, duke parë interesin.

Dilema në këtë rast, bie mbi spektakle si Westworld, të cilët me vështirësinë që kanë për t’u kuptuar gjerësisht nga masa, performojnë në shikueshmëri më poshtë se të tjerë, kur cilësinë e kanë më të lartë.

Intelekti dhe buxhetimi në këtë rast, janë të papërputhshëm dhe fatin publiku, jo gjithmonë e ka pasur që t’i shohë të përmbyllur vizionet e spektakleve të preferuar prej tyre.

Mindhunter, për shembull? Një tjetër rast kur një serial i jashtëzakonshëm, për mospërputhje të intelektit me buxhetimit (dhe faktorë të tjerë), e bëri Netflix-in ta anulonte sezonin e tretë, pas dy të parëve shumë të ndjekur.

Teksa instalimet “popcorn” – shumë të pëlqyeshëm – si Stranger Things, e gëzojnë të drejtën e moshezitimit!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore