Film

Anulimi i ‘1899’ tregon të vërtetën e trishtë për Netflix


Manual se si të vrasësh një ndër zhanret më të arrirë në botë, me një lëvizje.

Kjo është e vërteta e trishtë që Netflix i tregoi gjithë botës, por mbi të gjitha dashamirësve të serialeve televizive dhe atyre që e pëlqejnë një rrëfim të mirëndërtuar e një narrativë zhvilluese si për argëtimin, ashtu edhe për intelektin, me anulimin e serialit “1899”.

Mirëpo, me një sezon të parë, i cili e la ngjarjen të frymojë në një mjedis jashtëzakonisht të paimagjinueshëm për atë çfarë u shfaq gjatë gjithë kursit të historisë së “1899”, me një ndryshim skenari dhe rrjedhe përtej pritshmërive.

Kur Baran Bo Odar dhe Jantje Friese, krijuan në vitin 2017 serialin e njohur “Dark”, i pari gjerman në Netflix dhe një hit televiziv i padiskutueshëm e shumë i vlerësuar ndër shikuesit, u duk thuajse sikur zhanri e kishte rigjetur veten.

Njëkohësisht, në platformën rivale të Netflix, HBO, po shfaqej edhe “Westworld”.

Më parë, bujë patën bërë edhe “Lost”, “Breaking Bad” apo “Mad Men”.

E përbashkëta e gjithë këtyre, është fakti se përputhin konceptin “Slow burn” (djegie e ngadaltë), i cili nënkupton një tranzicion të avashtë të serive, me misterin dhe argëtimin e shikuesit vetë, të mbërthyer pas ekranit, duke kërkuar të dijë se çfarë do të ndodhë më pas.

Vetëm se në rastin e Dark fillimisht e më pas të 1899, seritë nuk janë javore, si në platformën HBO, por lëshohen menjëherë për shikuesin, njëtrajtshmërisht si formula e zakonshme e Netflix.

Dark pati numra të pamenduar se një serial i tillë mund t’i arrinte dhe për shkak të suksesit që pati, ishte thuajse e sigurt se Friese dhe Odar do ta kishin luksin të zhvillonin çdo narrativë që dëshironin për Netflix.

Kështu ndodhi fillimisht në fakt me 1899 dhe seriali ishte edhe ndjeshëm i shikuar në bazë të statistikave të publikuara nga vetë platforma. Ai madje ishte ndër pesë më të shikuarit, siç përmendet, duke menduar edhe se gjatë vitit 2022 ka pasur sezone nga “Stranger Things” apo edhe hiti i fundit, “Wednesday”.

Ka një problem gjithsesi në gjithë këtë…

Netflix kur flet me numra, për të maksimizuar arritjet e veta, flet me njerëz, të cilët e kanë nisur serialin dhe jo me ata, të cilët e kanë përfunduar.

Mundet kështu shikuesit, të dyshojnë, se në realitet 1899 (për shkak edhe të gjithë pritjes pas Dark), ta kenë nisur shumë persona, por për shkak se narrativa është një “slow burn” par excellence, nuk e kanë përmbyllur të gjithë?

Ky në fakt duket të jetë misteri i vërtetë i anijes së 1899 dhe jo seriali i anuluar tashmë për një sezon të dytë.

Është e qartë se Netflix prej kohësh po lufton për audiencë, me rëniet e mëdha që pati në përdorues dhe me kritika mbi mungesën e larmishmërisë së serialeve televizive.

Por më shumë se për të shtuar larmishmërinë, duket sikur Netflix kërkon të shtojë njëtrajtshmërinë e serialeve të suksesshëm si “Wednesday”, i cili prej serisë së parë të godet dhe ta rrok vëmendjen e nuk kërkon ndonjë përkushtim të veçantë për ta ndjekur pasivisht.

Kur, në të kundërt të kësaj, me ngjarje të ndërtuara aq mirë sa 1899, ashtu si Dark më parë, shikuesi duhet të presë, të tregojë vëmendje e durim në detaje, për të eksklamuar në klimaksën e tregimit.

Suksesi i Dark, mund të ketë qenë edhe fare rastësor në fakt, për shkak se në vitin 2017, kur ai u lëshua, televizioni praktikisht ishte në mbyllje të një cikli të serialeve si “Breaking Bad”, “Game of Thrones”, apo “The Sopranos” dikur.

Seriale të avashta, javore, që shkruan faqen e historisë si ndër më të vlerësuar ndonjëherë.

Koha e tillë nuk është më!

Netflix e ndryshoi konceptin dhe filloi të luajë me letra, kur seriale si 1899, kërkojnë që shikuesi të formojë një “puzzle” nga hiçi, ndërkohë që shijon estetikisht edhe ekranin.

Mjedisi i sotëm i transmetimit televiziv, më nuk i do as misteret sfiduese, as serialet e ndërtuar tulla tulla e jo me parafabrikate.

Këtë të vërtetë të trishtë na e tregon atë çfarë HBO bëri me sezonin e fundit të Westworld, e tanimë Netflix me 1899.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore